Diagnostikohet rasti i parë me poliomielit në New York

22/07/2022 15:45

Në New York është diagnostikuar rasti i parë me poliomielit, në gati një dekadë në të gjithë SHBA-në.

I prekuri është një i ri nga Rockland County. I riu i pavaksinuar filloi të përjetonte dobësi dhe paralizë rreth një muaj më parë, tha të enjten Komisionerja e Shëndetësisë e qarkut.

Rasti vjen gati një muaj pasi Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar paralajmëroi se kishte zbuluar poliovirus në mbikëqyrjen e mostrave të ujërave të zeza në Londër, megjithëse asnjë rast nuk ishte identifikuar atje.

Poliomieliti është një infeksion i shkaktuar nga poliovirusi. Rreth 1 në 4 persona të infektuar kanë simptoma të ngjashme me gripin, duke përfshirë dhimbje të fytit, temperaturë, lodhje, të përziera, dhimbje koke dhe dhimbje stomaku. Rreth 1 në 200 do të zhvillojnë simptoma më serioze që përfshijnë ndjesi shpimi  dhe mpirje në këmbë, një infeksion të trurit ose palcës kurrizore dhe paralizë, sipas Qendrës Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Trajtimi për të adresuar simptomat mund të përfshijë ilaçe për të relaksuar muskujt dhe terapi fizike. Megjithatë, çdo paralizë e shkaktuar nga poliomieliti është e përhershme.

Ky është rasti i parë i poliomielitit i diagnostikuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 2013.

 

Top Channel