Argjentina po kalon një formë të shkëlqyer dhe është padyshim në listën e favoriteve për të triumfuar në Botërorin e Katarit, megjithatë së fundi në kampin bardhekaltër ka dalë në skenë çështja Rodrigo De Paul.
Mesfushori i Atleticos së Madridit është titullar i padiskutueshëm i formacionit të Lionel Scalonit, por rrezikon të mos bashkohet me skuadrën në Katar për shkak të një procesi gjyqësor që ka me ish-gruan e tij, Camila Homs.
Kjo e fundit ka paditur mesfushorin për ndarjen e pasurisë së vënë ndërkohë që të dy ishin të martuar, si dhe kujdestarinë e dy fëmijëve që kanë bashkë dhe deri tani procesi gjyqësor nuk është mbyllur ende.
Alarmin për De Paul e ka dhënë presidenti i Federatës Argjentinase që ka shpjeguar se për shkak të ligjeve në Katar, por edhe rregullit të FIFA-s, mesfushori rrezikon të mos grumbullohet në Botëror, nëse nuk zgjidh çështjen që ka me bashkëshorten.
“Kur lexon artikullin e FIFA-s, kupton qartë që nuk mund të grumbullosh një futbollist që është në pritje të vendimit për një kallëzim penal. Megjithatë e njoh mirë De Paul dhe lidhjen e tij me fëmijët, ndaj besoj se çështja do të zgjidhet shpejt, para se të nisë Botërori”, u shpreh Tapia.
Top Channel