Rusia ka rifilluar furnizimin me gaz në Evropë përmes tubacionit të saj më të madh, Nord Stream 1, pas një pushimi 10-ditor të mirëmbajtjes.

Prej kohësh në Evropë po ndihej frika se Moska mund të mos rifillonte furnizimin në përgjigje të sanksioneve të BE-së për luftën në Ukrainë.

Të mërkurën, Komisioni Evropian u kërkoi vendeve të reduktojnë përdorimin e gazit me 15% gjatë shtatë muajve të ardhshëm në rast se Rusia ndërpret furnizimin e Evropës.

Rusia furnizoi Evropën me 40% të gazit të saj natyror vitin e kaluar.

Gjermania ishte importuesi më i madh i kontinentit në vitin 2020, por ka reduktuar varësinë e saj nga gazi rus nga 55% në 35%. Përfundimisht, ajo dëshiron të ndalojë plotësisht përdorimin e gazit nga Rusia.

Presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar të zvogëlojë frikën, duke u thënë gazetarëve se firma shtetërore e gazit Gazprom do të përmbushë të gjitha detyrimet e saj kontraktuale.

Tubacioni rifilloi operimin herët në mëngjes të enjten, por një zëdhënës tha se ai po jepte vetëm 40% të kapacitetit të tij.

Ky është i njëjti nivel me të cilin funksiononte në mesin e qershorit, kur Gazprom ndërpreu rrjedhat e gazit duke fajësuar një vonesë në kthimin e pajisjeve që servisoheshin nga Siemens Energy e Gjermanisë.

Top Channel