Në mes të vitit 2012, përkatësisht 10 vite më parë, drejtuesit e atëhershëm të Ministrisë së Infrastrukturës, do të hapnin procedurat e para për filtrimin e ujërave të zeza të Lezhës dhe Shëngjinit.

Një projekt miliona euro. Në fakt, me kalimin e viteve, projekti ngeli përgjysmë, teksa ai filtron vetëm ujërat e zeza të Shëngjinit. Po të Lezhës?! Ato hidhen në lumin Drin, që kalon mes për mes Lezhës, ku në redaksinë e “Fiks Fare” mbërritën foto dhe video të kafshëve të ngordhura në mes të këtij lumi. Në pamjet e mbërritura duken disa kafshë, të dekompozuara, të cilat qëndrojnë për javë apo muaj me radhë në ato ujëra, duke u bërë një burim infeksionesh për banorët e zonës.

Pas këtyre videove, gazetarët e “Fiks Fare” udhëtuan në Lezhë, ku u konstatuan të njëjta problematika: kafshët e ngordhura ndodheshin ende në lumin Drin! Një kafshë ishte në afërsi të lagjes “Besëlidhja”, e cila po bënte disa javë në atë vend dhe kundërmonte erë të rëndë.

Kafsha tjetër ishte në afërsi të lagjes “Skënderbej”, e cila gjithashtu po bënte javë me radhë në atë vend dhe kishte filluar të dekompozohej. Ndërkohë, në të gjithë gjatësinë e lumit që kalon në Lezhë, kishte mbeturina të shumta, bidonë plastikë, madje edhe qese plehrash, të hedhura brenda lumit.

Por, krahas ndotjes me plehra dhe kafshë të ngordhura, lumi Drin ndotet edhe nga dy kolektorë të ujërave të zeza të Lezhës. Kolektorët shkarkojnë ujërat në lumin Drin. Një kolektor është në afërsi të lagjes “Besëlidhja” dhe tjetri në afërsi të Bibliotekës dhe Varrit të Skënderbeut.

Por, “Fiks Fare” ka mësuar se, prej vitit 2012 ka filluar së ndërtuari një impiant i trajtimit të ujërave të zeza të Lezhës dhe Shëngjinit, madje janë vendosur edhe disa pompa që do merrnin ujërat e zeza për t’i çuar te impianti. Por, pompat janë hequr në vitin 2017 dhe prej vitesh, ujërat e zeza hidhen në lumin Drin.

Gazetarët e “Fiks Fare” shkuan në Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizime të Lezhës, ku në faqen e internetit thotë se ka një impiant të trajtimit të ujërave të zeza që funksionon prej vitit 2014 dhe i vjen në ndihmë 51 mijë qytetarëve. Në faqen e internetit shkruhet se janë 6 stacione pompimi që transportojnë shkarkojnë ujërat e kolektorëve kryesore në ITUN dhe Trupi ujor pritës për ujërat e përpunuara është në lumë. Jetëgjatësia e ITUN Lezhë, sipas projektit, është 20 vjet.

Drejtori i Ujësjellësit Lezhë thotë se impianti nuk trajton ujërat e Lezhës, por vetëm të Shëngjinit. Sipas tij, do bëhet një tjetër investim për t’i marrë ujërat dhe për t’i çuar te Impianti. Drejtori thotë se po bëhet studimi i fizibilitetit dhe për 1 muaj e ca mbaron dhe më pas do tenderohet për t’u bërë.

Fiksi shkoi edhe te Impianti, që është në afërsi të Shëngjinit. Ky impiant, sipas informacioneve, ka filluar të ndërtohet në vitin 2012 nga ish-ministri i Infrastrukturës, i ndjeri Sokol Olldashi. Fillimisht ka kushtuar 8.3 milionë euro, ndërsa vit pas viti janë hedhur para të tjera për ta bërë funksional. Për 10 vite, nga 2012 deri në 2022, janë hedhur plot 25 milionë euro për Ujësjellësin e Lezhës, duke përfshirë edhe ujërat e zeza. Por, ujërat e zeza nuk shkojnë të përpunohen te Impianti, por hidhen në lumë!

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA