Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska ka treguar se lufta në Ukrainë e ka bërë djalin e saj nëntë vjeçar të dëshirojë të bëhet ushtar.
Në një intervistë me NBC , Zelenska tha se tani e vetmja gjë që djali i saj Kyrylo dëshiron të bëjë janë artet marciale dhe si të përdorë një pushkë.
Gruaja e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky ishte në një vizitë në SHBA, ku kërkoi më shumë armë për Ukrainën.
“Para luftës, djali im shkonte në ansamblin e vallëzimeve popullore. Ai luante piano, mësoi anglisht. Por pas pushtimit të Rusisë, e qartë se ai dëshiron të jetë ushtar. Nuk mund ta kthej atë në art dhe shkenca humane”, tha ajo.
Kjo situatë ka ndikuar shumë jo vetëm tek fëmijët e saj por tek të gjithë fëmijët në Ukrainë, të cilët tashmë kanë humbur një pjesë të rëndësishme nga fëmijëria.
“Ajo që unë me të vërtetë dua të siguroj është që fëmijëria e djalit tim t’i kthehet atij dhe që ai ta shijojë jetën e tij në maksimum”, u shpreh Zelenska.
Gjatë një fjalimi 15-minutësh në Kongresin Amerikan, ajo prezantoi foto dhe video të fëmijëve ukrainas që janë vrarë ose plagosur gjatë luftës.
Një nga imazhet e përfshira ishte 4-vjeçarja Liza Dmytriyeva , e cila u vra në një sulm ajror në qytetin qendror-perëndimor të Vinnytsia.
“Ne duam që çdo baba dhe çdo nënë të jetë në gjendje t’i thotë fëmijës së tyre: Shko të flesh i qetë. Nuk do të ketë më sulme ajrore, nuk do të ketë më sulme me raketa. A është kjo shumë për të dëshiruar? Por fatkeqësisht, lufta nuk ka mbaruar, terrori vazhdon”, tha ajo, sipas BBC.
Njëkohësisht zonja e parë e Ukrainës kërkoi më shumë armë për t’i përdorur në mbrojtjen e jetëve të tyre dhe jo për të bërë luftë në tokën e dikujt tjetër.
Top Channel