Që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë gati dy milionë refugjatë ukrainas janë zhvendosur në Rusi, sipas zyrtarëve ukrainas dhe atyre rusë. Ukraina e akuzon Kremlinin se ka detyruar me forcë zhvendosjen e ukrainasve, veprim që ata e konsiderojnë si krim lufte.
Por Rusia thotë se evakuimet janë të natyrës humanitare. Materiali në vazhdim tregon sagën e refugjatëve ukrainas që përpiqen të largohen nga Rusia.
Grupe ukrainasish mblidhen pranë një ure mbi lumin Narva në pjesën veriperëndimore të Rusisë në kufi me Estoninë. Çdo ditë autobusët sjellin njerëz që duan të shkojnë drejt vendit të Bashkimit Evropian.
Pas agresionit rus në Ukrainë, forcat pushtuese i zhvendosën ata në Rusi, mijëra kilometra larg shtëpive të tyre. Përmes këmbënguljes, fatit dhe një rrjeti të padukshëm vullnetarësh rusë, disa nga refugjatët ukrainas po largohen nga Rusia për një jetë të re në Evropë.
Marina Nosylenko, një prej refugjatëve, thotë se fëmijët ndihen të traumatizuar.
“Po mundohemi ta përqendrojmë vëmendjen diku tjetër tani, sepse po ndikon tek gjendja mendore e fëmijëve. Përpiqemi të ruajmë pozitivitetin, sikur asgjë të mos ketë ndodhur, sikur gjithçka është në rregull dhe thjesht kemi ndërruar shtëpi”.
Një hulumtim nga agjencia e lajmeve Associated Press, bazuar në dhjetëra intervista, ka gjetur se shumë refugjatë ukrainas janë zhvendosur me forcë në Rusi nga trupat pushtuese. Ata u janë nënshtruar abuzimeve, konfiskimit të dokumenteve dhe nuk e dinë se çfarë i pret dhe ku mund të përfundojnë. Një zgjedhje mes vdekjes në Ukrainë ose jetës në Rusi.
“Pesë persona të armatosur më rrethuan dhe më thanë se nuk kisha zgjedhje dhe se ishte e përcaktuar ku do të shkoja. I thashë se kemi të drejtë të dimë se ku po na çojnë”, tregon refugjatja ukrainase Viktoria Kovalevska.
Në qendrën e paraburgimit ajo i mbushi mendjen një shoferi rus që ta fshihte familjen e saj në autobus. Më pas në Rostov, një rrjet vullnetarësh rusë e ndihmuan familjen e saj të largohej drejt Estonisë.
Që nga fillimi i prillit rreth 2,000 refugjatë ukrainas, shumë prej tyre nga Mariupoli, janë vendosur në tragetin “MS Isabelle” të ankoruar në Tallinn, në bazë të një marrëveshjeje me autoritetet estoneze. Kontrolli rus në kufirin me Estoninë është shumë i rreptë, tregojnë refugjatët.
“Është një proces filtrimi. Të pyesin nëse ke lidhje me ushtrinë ukrainase dhe çfarë mendimi keni për të ashtuquajturin operacion special. Të marrin shenjat e gishtërinjëve. Është një proces i përsëritur disa herë në Rusi”.
Ata që “kalojnë” filtrimin rus ftohen të qëndrojnë dhe shpesh u premtohet një shumë parashë, që mund t’i marrin ose jo. Në disa raste atyre u merren pasaportat ukrainase dhe u ofrohet mundësia e nënshtetësisë ruse. Por ka edhe raste kur refugjatëve u bëhet presion që të nënshkruajnë dokumente që inkriminojnë qeverinë dhe ushtrinë ukrainase.
Agjencia e lajmeve Associated Press ka verifikuar se shumë ukrainas kanë marrë strehim të përkohshëm në Rusi, në disa raste shumë prej tyre në zona rreth 10,000 kilometra larg, pranë kufirit të Rusisë me Kinën.
Top Channel