Një ditë pasi Shqipëria zhvilloi mbledhjen e parë ndërqeveritare me BE- në ambientet e kryeministrisë në praninë e diplomatëve, drejtuesve të institucioneve përfshi klerin fetar, u ngrit flamuri BE-s.
“Ngritja e këtij flamuri sot në selinë e kryeministrisë shënon ngritjen e Shqipërisë në një tjetër nivel, jo vetëm në marrëdhëniet me Bashkimin Europian por dhe me të ardhmen e saj me institucionet, liritë dhe të drejtat, sigurinë dhe zhvillimin e saj në çdo drejtim. Ky moment shënon edhe ngritjen në një nivel tjetër detyrimesh të marrëdhënieve të shoqërisë dhe qytetarit shqiptar me vlerat, parimet, standardet, rregullat dhe frymën e bashkëjetesës demokratike europiane”, tha Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama pasi tha se në këtë moment do të dëshironte shumë të ishte edhe opozita e vendit theksoi në nevojën e një niveli të ri marrëdhëniesh mes qeverisë dhe opozitës.
“Mirëpo, sot për sot, opozita ndodhet në një hendek të madh mes një pjesë të identifikuar me gjithçka bie ndesh me frymën dhe me logjikën e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Shqipërinë, që nga korrupsioni domethënës tek minimi i demokracisë dhe një pjese tjetër, e cila ndryshon nga e para vetëm për faktin se nuk është damkosur si e padëshirueshme për partnerët tanë ndërkombëtarë dhe këta të dytët, edhe kur i fton nuk vijnë sepse kanë frikë nga të parët. Kështu që, hë për hë, do bëjmë siç kemi bërë gjithmonë se gjë tjetër nuk bëjmë dot edhe po të duam”, tha Rama.
Ngritja e flamurit të BE në godinën e qeverisë për kryeministrin Edi Rama e bën më të madhe barrën e detyrimeve mbi shumicën qeverisëse dhe posaçërisht mbi qeverinë.
Top Channel