Berlusconi dhe Salvini “rrëzojnë” Draghin/ Bojkotohet në votëbesimin e qeverisë

20/07/2022 22:59

Kryeministri popullor i Italisë Mario Draghi është bojkotuar nga tre prej partive kryesore në Itali në votëbesimin e qeverisë së tij në parlament.

Thika pas shpine për të erdhi nga partia e drejtuar nga Silvio Berlusconi dhe ajo e ekstremit të djathtë të Matteo Salvinit, të cilët iu bashkuan Lëvizjes Pesë Yjet.

Edhe pse Draghi teknikisht e fitoi votën e besimit, ai nuk pritet të deklarojë fitoren pas bojkotit të partive. Në këto kushte ai pritet të japë dorëheqjen dhe Italia të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Dëshira e tij e shprehur qartë për parlamentin ishte udhëheqja e një qeverie që ka mbështetjen e shumicës së partive nga pas, për të qenë të bashkuar dhe në unitet në këto krizash për Italinë.

Dorëheqja e Draghit do të sjellë probleme edhe për BE-në. Italia është një nga vendet me borxh të lartë publik dhe ndër më të goditurat nga lufta në Ukrainë për shkak të influencës nga gazi rus. Në këto kushte rënia e qeverisë prodhon vështirësi për BE-në, e cila nuk mund të veprojë mbi një sërë vendimesh të forta politike pa miratimin e një prej anëtarëve kryesorë.

Qëndrimi nga palët “e papërgjegjshme” rrezikoi “krijimin e një stuhie të përsosur”, tha Komisioneri i Ekonomisë së BE-së Paolo Gentiloni në Twitter, duke shtuar se Italia përballet me “muaj të vështirë përpara”, por vazhdon të mbetet një komb i madh.

Kriza politike në Itali filloi me tërheqjen nga koalicioni qeverisës i Lëvizjes Pesë Yjet. Dhe ndërsa Draghi paraqiti dorëheqjen pranë presidentit Sergio Mattarella, ajo u refuzua, ndërsa parlamenti kishte fjalën e fundit mbi fatin e tij.

Top Channel