Konferenca e Parë Ndërqeveritare me BE-në/ Varhelyi vlerëson reformat e Shqipërisë: Do të jemi pranë jush derisa t’i bashkoheni unionit

19/07/2022 12:15

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, në fjalën e tij gjatë Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, ka theksuar se vendi ynë me punën e bërë ndër vite, meriton t’i bashkohet unionit, ndërsa shpreson që kjo të ndodhë sa më shpejt.

“Shqipëria është një vend kandidat me qëllimin e qartë për t’u bërë anëtarë që në 2014. Përgjatë këtyre viteve, kemi punuar fort dhe në mënyrë të qëndrueshme, kemi qëndruar pranë jush. Kjo Konferencë shenjon një kapitull të ri, është e merituar”.

Varhelyi ka vlerësuar reformat e bëra nga Shqipëria, për të plotësuar kushtet për të hapur negociatat.

“Ju keni reformuar institucionet demokratike, zotimi juaj për të forcuar ligjin dhe lufta kundër krimit të organizuar, janë për t’u vlerësuar. Besoj se Shqipëria do të forcojë punën e saj për të fuqizuar më tej institucionet demokratike dhe kuadrin ekonomik.

Negociatat e anëtarësimit do të kërkojnë vullnet të fortë politik, punë dhe mençuri. Do të kërkojnë ndryshim në shumë pjesë të shoqërisë. Besoj tek ju”.

Komisioneri për zgjerim është ndalur te përfitimit që do të ketë Shqipëria pas hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

“Komisioni do t’ju shoqërojë në përballjen e të gjitha sfidave, në mënyrë që Shqipëria të jetë e mirë përgatitur kur të bëhet pjesë e unionit”, shton ai.

Top Channel