Ish-menaxheri i Michael Schumacher akuzon familjarët për ‘gënjeshtra’ mbi gjendjen e kampionit (fotot)

19/07/2022 17:35

Willi Weber, ish-menaxheri i kampionit fatkeq të Formula 1, ka thënë sot se familjarët e Michael Schumacher nuk kanë thënë të gjithë të vërtetën për ikonën e sportit.

Weber ka kritikuar familjen e kampionit të botës, për ruajtjen e sekretit të gjendjes së tij që prej aksidentit të rëndë që pësoi gjatë pushimeve të skive në Alpet Franceze.

Statusi shëndetësor i Schumacher mbetet një nga sekretet më të ruajtura që prej aksidentit të frikshëm në 2013 pas të cilit u mësua vetëm se piloti ra në koma për gjashtë muaj  dhe më pas vetëm me raportime të vogla enigmatike nga familja e Schumacher apo ish-kreu i Ferrari, Jean Todt.

Weber, tha mes të tjerash se nuk është i kënaqur me mënyrën sesi është përjashtuar nga informacionet pas aksidentit.

“Ishte një dhimbje e madhe për mua,” tha ai me anë të një përkthyesi për të përditshmen Gazzetta dello Sport.

“Jam përpjekur qindra herë të kontaktoj me gruan e tij Corinna dhe nuk është përgjigjur. Kam telefonuar Jean Todt për ta pyetur nëse mund të shkoj në spital, por më thotë se është ende herët”.

“Nuk e prisja një sjellje të tillë dhe jam i zemëruar. Ata më mbajnë jashtë, më thonë që është shumë herët kur në fakt është tepër vonë. U bënë nëntë vjet, ndoshta ka ardhur koha të tregojnë të vërtetën”.

Weber thotë se fillimisht i kuptonte kërkesat e familjes për privatësi por tani e konsideron si një tentativë për të ruajtur distancën mes tyre dhe një figure që ka qenë thelbësore për karrierën kompetitive të Schumacher.

“Unë gjithmonë jam munduar të mbroj jetën private të Michael,” tha Weber.

“Por meqënëse kam dëgjuar vetëm gënjeshtra prej tyre kjo më lëndon pasi nuk mund t’i ndryshoj gjërat. Ai ishte si një bir për mua, edhe sot më lëndon që flas”.

Nuk dihet nëse lutja e Weber për informacion publik do të jetë efekt me trashëgimtarët e Schumacher pasi të tilla kërkesa ka pasur disa gjatë viteve.

FOTO GALERI
1/3
Willi Weber, ish-menaxheri i kampionit fatkeq të Formula 1, ka thënë sot se familjarët e Michael Schumacher nuk kanë thënë të gjithë të vërtetën për ikonën e sportit.

Top Channel