Veliaj nga Njësia 10: Njerëzit janë zhgënjyer nga opozita, PS frymëzim për të rinjtë që shohin nga e ardhmja e jo nga ‘non gratat’

18/07/2022 18:02

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, tha se në zgjedhjet vendore që mbahen vitin tjetër, duhet të mendojmë për të ardhmen.

Në një takim me strukturat socialiste në Njësinë 10, ku kandidatët në garë për kryetar të PS-së paraqitën platformat e tyre, Veliaj shtoi se Sali Berisha dhe Ilir Meta janë e shkuara, që inkurajojnë mbylljen, të gatshëm t’i vënë zjarrin vendit, siç ia vunë zjarrin partive të tyre.

“Në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë ata që kanë lindur në vitin 2005. Atyre duhet t’u flasim për çfarë do të bëjmë për të mbajtur ritmin e punëve që kemi nisur, çfarë do të bëjmë për punët e gjeneratës së re, për kodimin… jo për Saliun. Ç’u duhet Saliu atyre? Njerëzit nuk na krahasojnë më me Saliun, por me të majtën moderne në vendet perëndimore. Tani steak për ne është më e lartë, se për Saliun mori fund që kur u shpall ‘non grata’. Ne jemi partia që inkurajon hapjen, ata inkurajojnë mbylljen, gjejnë armiqtë e Amerikës dhe thonë: ‘O burra, të futemi në bunker dhe të izolohemi”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se filozofia e Partisë Socialiste është rritja, si një familje, që funksionon në harmoni. Ai theksoi se qytetarët e shohin përditë transformimin e vendit. “Secili prej nesh, kur hedhim sytë nëpër qytet, themi: Këtë e bëmë ne! Bulevardi i Ri, Pazari i Ri, Kalaja e Tiranës etj. Kemi ende punë për të bërë? Patjetër! Ne do do të shkojmë deri në nivel kapilar, në çdo lagje”, tha ai.

Sipas Veliajt, Partia Socialiste ka aftësinë të frymëzojë të rinjtë dhe të rejat, që shohin vetëm nga e ardhmja dhe jo nga e shkuara. “Ka shumë njerëz që janë zhgënjyer nga këto partiçkat private, si dyqane, apo nga skenat që i kishim harruar, me parti që i vënë zjarrin shtëpisë së tyre. Ne si Parti Socialiste duhet të shohim sa të tjerë do të frymëzojmë, që të hapemi për çuna e goca të rinj, që duan një gjuhë të re”, përfundoi Veliaj.

Top Channel