23-vjeçari Brilant Martinaj dhe 36-vjeçari Besmir Hoxha përcillen sot për në banesën e fundit, ndërsa viktimës Dikler Vata do t’i jepet lamtumira nesër, sipas lajmërimit të familjarëve të tyre.
Ata mbetën të vrarë në mbikalimin e Fushë –Krujës mesditën e së dielës gjatë një atentati të mirëorganizuar nga autorët, të cilët vijojnë ende në arrati, edhe pse kanë kaluar 24 orë nga ngjarja e rëndë që tronditi vendin.
Brilant Martinaj, Dikler Vata, dhe Besmir Hoxha, po udhëtonin me një mjet Volkswagen Passat nga Fushë-Kruja në drejtim të Laçit, kur rreth orës 14:00 nga një makinë tjetër po Volksëagen, u qëlluan me breshëri automatiku.
Dikler Vata ishte viktima e parë që u identifikua, pasi mundi të dalë nga makina, por autorët që ishin ende në vendngjarje janë kanë qëlluar ndaj tij me një tjetër breshëri, duke u siguruar që të mos mbijetonte, duke e lënë të vdekur në mes të rrugës. Ndërsa Hoxha dhe Martinaj mbetën të bllokuar brenda mjetit që shpërtheu në flakë, duke djegur plotësisht trupat e tyre.
Brilant Martinaj ishte i dyshuar për vrasjen e policit Xhulio Prela para dy vitesh. Kurse Dikler Vata rezulton person me precedentë penalë për trafik narkotikësh.
Nga krehja e zonës, në Larushkë, është gjetur duke u djegur një automjet tip “Volsëagen Passat” që dyshohet se është i autorëve. Në brendësi të automjetit është konstatuar një automatik që dyshohet se është përdorur nga autorët për të kryer krimin.
Nuk dihen ende shkaqet e atentatit, ndërsa dyshimet e para janë pazaret e drogës. Policia ngriti grupe kontrolli në të gjithë zonën, ndërsa për hetime në vendngjarje mbërritën drejtuesit më të lartë të policisë. Madje, policia e Shteti ka vënë në dispozicion për çdo informacion të vlefshëm që do çojë në zbardhjen e vrasjes së 3 personave në Fushë-Krujë, 3 milionë lekë të rinj.
Top Channel