Është hedhur në Nyon të Zvicrës shorti për turin e tretë të UEFA Europa Conference League, kompeticion në të cilin marrin pjesë edhe tre skuadrat e Superiores, kampionët e Tiranës, Vllaznia dhe Laçi.
Në fakt, pikë së pari skuadrat shqiptare duhet të kalojnë raundin e dytë, megjithatë kanë mësuar rrugëtimin e tyre në këtë kompeticion dhe kështu nëse Tirana ia del me sukses të eliminojë Zrinjskin atëherë e pret një përballje me fituesin e çiftit Tobol (Kazakistan) dhe Linkoln Red Imps (Gjibraltar). Vlen të përmendet se kryeqytetasit kanë rezultuar me fat në short, megjithatë fillimisht duhet të mposhtin ekipin boshnjak, Zrinjski.
Nga ana tjetër, jo edhe aq i favorshëm mund të cilësohet shorti për Vllazninë, me shkodranët të cilët nëse kalojnë me sukses Universitatea Craiova do të përballen me ukrainasit e Zorya Luhansk. Ndërkohë, në rast suksesi, Laçi që provën e radhës e ka ndaj Petrocub, do të sfidojë fituesen e çiftit Fehervar (Hungari) dhe Gabala (Azerbaxhan).
Sakaq, pjesë e shortit ishin edhe dy skuadrat e Superligës së Kosovës, Ballkani dhe Drita. Të besuarit e trajnerit Ilir Daja nëse kalojnë me sukses ndeshjen ndaj LA Fioritas të San Marinos, atëherë në turin e tretë i pret fituesja e çiftit Sutjeska (Mal i Zi) dhe KI Klaksvik (Ishujt Faroe). Ndërkohë, në rast se Drita kalon me sukses belgët e Antwerp, atëherë do të përballen me fituesin e çiftit Sinajoki (Finland) dhe Lillestrom (Norvegji).
Top Channel