Anglia 41 gradë Celsius, Londra më nxehtë se Saharaja- ekspertët: Duhet përshtatje me krizën klimatike!

18/07/2022 13:00

41 gradë Celsius pritet të shënojë termometri këtë javë në Mbretërinë e Bashkuar, duke shënuar kështu një rekord të ri për vendin.

Zyra kombëtare e meteorologjisë lëshoi alarmin e kuq nga i nxehti ekstrem për ditën e hënë dhe të martë në pjesën më të madhe të Anglisë, nga Londra në York e Mançester.

Temperatura më e lartë aktuale në Mbretërinë e Bashkuar prej  38.7 C,  është regjistruar në Kembrixh në 2019. Gjatë ditës së sotme, Londra pritet të jetë një prej zonave më të nxehta të botës thotë BBC , me temperatura më të larta se në Saharanë Perëndimore, ku temperature tani është 24 gradë dhe në Karaibe, 33 gradë celsius. Përvëlimi vazhdon edhe të martën me një vapë mbytëse që do të ndihet dhe gjatë natës, përpara se të zbutet pak ditën e  mërkurën..

Sakaq, zjarrfikësit në të gjithë Portugalinë dhe Spanjën perëndimore luftojnë me zjarret mes një vale të nxehti që i ngriti temperaturat mbi 45 gradë Celsius. As në Francë, i nxehti nuk po jep shenja zbutjeje ku zjarret vazhdojnë të mbeten jashtë kontrollit në rajonin e Gironde.

Ndërsa kriza klimatike përkeqëson valët e të nxehtit në mbarë botën dhe temperaturat rriten gjithnjë e më shumë përtej parashikimeve, vendet përballen me pyetjen se si të mbeten të jetueshme.

Rritja e faturave të energjisë elektrike me ajër të kondicionuar, ftohja me ventilatorë, puna në ambiente të mbyllura — këto opsione janë të disponueshme vetëm për disa të privilegjuar. “Historia e ndryshimit të klimës lidhet me pabarazinë e lartë dhe ne po shohim që po luhet tashmë në rajonet më të varfra dhe më të nxehta të botës,” tha Tamma Carleton, asistent profesore e ekonomisë në Shkollën Bren të Shkencës dhe Menaxhimit Mjedisor të Santa Barbara.

Paraja vendos se cilat teknologji mund të përballojë një qytet për të mbrojtur më të cënuarit e tij. Dhe kur këto kosto të përshtatjes nuk mbulohen nga shteti, barra bie mbi individët për të financuar mbrojtjen e tyre, thotë Carleton. Një situatë që i lë më të varfrit të përjetojnë më keq situatën.

Top Channel