Votimi i propozimit francez i hap rrugën negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë/ Scholz: Ju duam në BE, jam në anën tuaj

16/07/2022 14:39

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka përshëndetur votimin e propozimit francez në parlamentin maqedonas që i jep mundësi hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.

Ne duam që të jeni anëtar të unionit, shkruan kancelari gjerman në një status në rrjetin social “Twitter”, ndërsa thekson mbështetjen për Maqedoninë e Veriut, në rrugën e saj drejt BE-së.

Propozimi u miratua me 68 vota pro dhe asnjë kundër sot në parlament. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Top Channel