Videoja tronditëse: Momentet e fundit të 4-vjeçares së vrarë nga sulmi rus në Vinnytsia!

16/07/2022 15:50

Në një moment, duket e lumtur në krah të së ëmës teksa shtyn me gëzim karrocën e saj  në rrugë. Pak çaste më vonë, Lisa nuk është më.

Videoja e publikuar nga ministria ukrainase e mbrojtjes dhe e bërë virale në mediat sociale tregon ne pak sekonda dramën e përjetuar prej popullit ukrainas nga agresioni brutal rus, një dramë kjo e cila nuk po njeh fund.  4-vjeçarja Lisa Dimitreva ishte duke shëtitur me nënën e saj kur pranë tyre bie një nga raketat rusë që goditën të enjten qytetin e Vinnytsia. Vogëlushja humbi jetën në vend, ndërsa të ëmës, Irinës, iu këput njëra këmbë dhe është e shtruar në spital. Një grua që punonte me Irinën shkroi në Facebook se ato kanë qenë në zemër të shpërthimeve. “Vajza vdiq në vend. Ira është në gjendje të rëndë në kujdesin intensive. Kaq shumë pikëllim, aq shumë lot… Nuk ka më forcë…”, thoshte ajo. 22 persona humbën jetën nga sulmi, e mbi 100 të tjerë u plagosën, ndërsa qetësia Vinnytsia humbi një herë e përgjithmonë.

Sipas një ushtaraku vendas, raketat që mbollën vdekjen në qytet, ishin nisur nga një nëndetëse ruse. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se sulmi kishte për qëllim objektiva civile. Sulmi ndodhi ndërsa zyrtarë qeveritarë nga rreth 40 vende u takuan në Hagë për të diskutuar koordinimin e hetimeve dhe ndjekjeve penale të krimeve të mundshme të luftës të kryera në Ukrainë.

“Rusia çdo ditë po shkatërron popullsinë civile, po vret fëmijë ukrainas, po drejton raketa në objekte civile. Aty ku nuk ka (objektiva) ushtarake. Çfarë është nëse jo një akt i hapur terrorizmi?”, u shpreh Zelensky në Telegram.

Top Channel