“Takohemi në Bruksel”/ Maqedonia e Veriut votoi propozimin francez, Varhelyi: Presim hapjen e negociatave

16/07/2022 13:58

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oliver Varhelyi ka përshëndetur votimin e sotëm në kuvendin maqedonas, që miratoi propozimin francez për të zgjidhur ngërçin me Bullgarinë.

Mezi presim hapjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa takohemi të martën në Bruksel, ka shkruar Varhelyi në një status në Twitter. Megjithatë pak minuta më vonë komisioneri e ndryshoi statusin e tij. Në postimin e ri nuk ka një datë për Konferencën Ndërqeveritare, por ai thekson se “Maqedonia e Veriut i përket unionit”.

Propozimi u miratua me 68 vota pro dhe asnjë kundër sot në parlament. Deputetët e opozitës nuk morën pjesë në procesin e votimit.

Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.

Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.

Votimi vjen pasi në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për tre ditë është debatuar për këtë propozim.

Top Channel