“Kthejini në shtëpi”, nënat dhe gratë ruse kërkojnë kthimin e ushtarëve!

16/07/2022 16:01

“Vëllai im u dërgua për stërvitjet 333. Ai nuk shkoi për të luftuar në një shtet tjetër. Në thelb ishte mashtrim. Vetëm në prag të pushtimit u informuan se do ta kalonin kufirin”; një grua nga rajoni jugor siberian, Buriatia, është në mesin e një nënave, motrave e bashkëshorteve të ushtarëve rusë në Ukrainë që kërkojnë kthimin e tyre në shtëpi. 

Kjo grua, e cila kërkoi të mos identifikohej nga frika e hakmarrjes për aktivitetet e saj kundër luftës thotë REL, rrëfeu se i vëllai e kishte marrë në telefon nga Bjellorusia në prag të sulmit ndaj vendit fqinj, e nga biseda kishte kuptuar se nuk donte të shkonte, por kishte frikë që të refuzonte sepse siç duket ishte përballur me kërcënimin jo vetëm të gjykatës, por edhe të lëndimit fizik.

Duke përdorur grupe të mbyllura diskutimi në aplikacionin e mesazheve Viber, këto gra po ndajnë informacione dhe këshilla ligjore se si familjarët e tyre që po shërbejnë në Ukrainë, do të mund që ligjërisht të ndërpresin shërbimin e tyre në fushëbetejë. Ailana, nëna e një ushtari nga rajoni siberian Tiva, emri i vërtetë i së cilës është i njohur për redaksinë, tha se djali i saj ka pasur përvojë të ngjashme.

Njësia e tij u zhvendos në Bjellorusi në janar për stërvitje dhe u dërgua në Ukrainë më 24 shkurt me urdhrin që ta marrin kontrollin e Kievit për dy ditë. I biri i ka thënë se njësia e tij ishte mashtruar dhe shumë ushtarë po kërkonin mënyra se si të mos kthehen sërish në fushëbetejë. Ajo u konsultua me avokatë, e thotë se djali i saj dhe 13 ushtarë të tjerë që kishin ndërmarrë të njëjtët hapa, u turpëruan para njësive të tyre dhe u cilësuan “tradhtarë”.

Megjithatë, pjesërisht për shkak të këshillës së Ailanës, që të 14 ushtarët i bënë ballë turpërimit dhe kërcënimeve dhe u liruan nga shërbimi.

Top Channel