Një 37-vjeçar ka humbur kontrollin e motorit të ujit me të cilin po shëtiste në bregun e Jalës dhe për pasojë mjeti ka përplasur dy pushues.

Shkak i incidentit dyshohet të ketë qenë një manovër e gabuar e mjetit. Drejtuesi i gomones, Gjergji Priftuli ka rënë në ujë, ndërsa mjeti, i dalë jashtë kontrollit i është drejtuar bregut.

Të lënduar kanë mbetur një çift turistësh shqiptarë. 31-vjeçari me iniciale A.S. ka dëmtime në brinjë dhe në fytyrë, ndërsa 25-vjeçarja me inicialet E.Gj. ka gërvishtje të lehta. Ata u dërguan në spitalin e Himarës, ndërsa drejtuesi i motorit është shoqëruar në polici.

Ky është incidenti i parë i ndodhur gjatë këtij viti me mjetet lundruese. Për të shmangur këto situate policia e ka ndaluar përdorimin e mjeteve lundruese në plazhe dhe në vende të caktuara ku ato lejohen, në det është shënjestruar trajektorja të cilën mjetet ndjekin.

Vite më parë në shumë plazhe, në Velipojë, Durrës dhe Himarë ka pasur incidente me mjetet lundruese të cilat depërtonin deri në breg ku notonin pushuesit duke I plagosur ata. Nga këto aksidente ka pasur dhe raste fatale siç ishte ai i vitit 2016 në plazhin e Livadhit ku një pushues rus humbi jetën teksa notonte  pasi u përplas nga një skaf.

Top Channel