Bayern nuk heq dorë dhe rikthehet në sulm për De Ligt, Kahn: Mbrojtësi e ka zgjedhur të ardhmen!

16/07/2022 22:23

Bayern Munich është dorëzuar sa i takon çështjes së Robert Lewandowskit me sulmuesin që ka “paketuar plaçkat” dhe është nisur drejt Barcelonës. Një operacion ky i katalanasve që prek shifrën e 50 milionë eurove.

Para të cilat bavarezët e kanë shumë të qartë se ku do t’i investojnë teksa tashmë nuk është më sekret që rekordmenët gjermanë kërkojnë me ngulm Matthijs De Ligt nga Juventus. Madje, drejtuesit e Bayern kanë gjetur gjuhën e përbashkët me holandezin ndërsa tashmë duhet të bindin Juventusin që nuk hap rrugë nëse oferta është më e ulët se 80 milionë euro.

Në raundin e parë të bisedimeve, Bayern ofroi 60 milionë dhe italianët refuzuan menjëherë. Por, tashmë që arka është mbushur nga shitja e Lewandowskit, Bayern do të rikthehet në sulm për De Ligt dhe vetë CEO i bavarezëve, Oliver Kahn është shprehur se do të kenë sërish kontakt me Juventusin.

“Kemi pasur bisedime me Juventusin, De Ligt është i qartë sa i takon pozicionit të tij. Ai kërkon të luaj me Bayern Munich dhe ne do të mbajmë sërish takime me Juventus. Të shohim si do të rrjedhë situata”, u shpreh Kahn.

Top Channel