Dështoi për të dytën ditë radhazi miratimi i propozimit Francës në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës e bënë të pamundur kalimin në votim, duke e shtyrë për të shtunën vazhdimin e seancës.

Seanca maratone nisi prej orës 11:00 të paradites së të premtes dhe u shoqëria me ofendime , debate dhe madje gati gati edhe përplasje fizike.  aktorë në incident ishin deputeti Dimitarr Apasiev nga “E majta” dhe Martin Kostovski nga LSDM.  falë reagimit në kohë të pjesës tjetër të deputetëve, u shmang një përplasje fizike dhe gjithçka u la në masën e shkëmbimit të fyerjeve dhe provokimeve.

Deputetët e VMRO DPMNE-së përmes fishkëllimeve me bori i penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre. Ata u akuzuan nga deputetët e LSDM-së, se përveç kaosit, nuk ofrojnë asgjë tjetër për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

Propozimi  francez parasheh kapërcimin e dallimeve mes Shkupit dhe Sofjes lidhur me gjuhën maqedonase, identitetin dhe të kaluarën historike ndërkohë që pala bullgare kërkon nga pala maqedonase që të përfshijë edhe pakicën bullgare në preambulën e Kushtetutës, si të barabartë me popujt e tjerë.

Mospajtimet për këto çështje kanë bërë që Bullgaria, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, të bllokojë nisjen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për më shumë se dy vjet.

Propozimi i Francës, prej shtatë pikash, kërkon lëshime nga të dyja palët. Shkupi, mes tjerash, duhet të angazhohet për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim njohjen e pakicës bullgare si komb i barabartë me të tjerët.

Miratimi i propozimit në Kuvend do të nënkuptonte mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare mes Shkupit dhe Brukselit, dhe po ashtu edhe Tiranës.

 

Top Channel