Franca feston Ditën e Bastijës, dy vetë vriten nga fishekzjarret

Franca feston Ditën e Bastijës, dy vetë vriten nga fishekzjarret

Lufta në Ukrainë la shenjën e saj në paradën tradicionale ushtarake të Parisit në Ditën e Bastiljës, teksa Franca nderoi aleatët e vet te NATO-s nga Europa Lindore.

Trupat franceze të dislokuara në afërsi të Ukrainës që nga sulmi rus në shkurt, patën një rëndësi të veçantë në kremtimin e festës kombëtare, ku morën pjesë presidenti Emmanuel Macron, qeveria e tij dhe personalitete franceze dhe të huaja.

“Parada shënohet dhe merr parasysh kontekstin strategjik”, tha një zyrtar në zyrën e Macron. “Ideja është të theksojmë solidaritetin strategjik me aleatët tanë”, shtoi ai.

Pothuajse pesë muaj pasi Rusia sulmoi Ukrainën, parada në Champs-Elysees u hap me prezantimin e flamujve kombëtarë të nëntë vendeve të ftuara aleate, shumica prej tyre fqinjë të Ukrainës ose Rusisë: Estonia, Letonia, Lituania, Polonia, Republika Çeke, Sllovakia, Hungaria, Rumania dhe Bullgaria.

Parisi përshpejtoi vendosjen e 500 trupave në Rumani disa ditë pas sulmit rus në Ukrainë dhe ka sinjalizuar gatishmërinë e tij për të rritur numrin nëse është e nevojshme.

Dita e Bastijës kremtohet zakonisht me një paradë ushtarake me pjesëmarrjen e mijëra trupave që marshuan në Shëtitoren qendrore të Parisit, ndërsa shërben dhe si ekspozim i pajisjeve ushtarake të teknologjisë së lartë.

Kjo ditë përkujton marrjen e kontrollit të Kështjellës-burg të Bastijës nga populli në Paris, në vitin 1789, një nga ngjarjet kryesore të Revolucionit Francez dhe është sot festa kombëtare e Francës.

Hareja e festës megjithatë u errësua disi nga lajmet se një djalë 7 vjecar dhe motra e tij 24 vjeçe humbën jetën nga fishekzjarret në Cholet.

Të dy viktimat ishin duke ndjekur spektaklin piroteknik bashkë me pjesëtarë të tjerë të familjes dhe ndodheshin rreth 50 metra larg platformës së lëshimit, kur ndodhi fatkeqësia.

Top Channel