Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miraton rezolutën për vrasjen e vëllezërve Bytyqi

15/07/2022 19:49

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi rezolutën për rastin e vrasjes së vëllezërve Bytyqi, në vitin 1999-të në Serbi.

Në rezolutën e propozuar nga Komisioni për Punët e Jashtme më 29 korrik të vitit të kaluar, në qëndrimin e Kongresit thuhet se “duhet të sillen para drejtësisë personat përgjegjës për vrasjet e shtetasve amerikanë në Serbi, Agron, Yll dhe Mehmet Bytyqi në korrik 1999”, dhe se SHBA-ja duhet të “sigurojë resurse të mjaftueshme për të ndihmuar dhe monitoruar plotësisht përpjekjet e Serbisë për të hetuar dhe ndjekur penalisht individë të tillë.”

Sipas rezolutës, është e papranueshme që asnjë individ nuk është shpallur ndonjëherë fajtor për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, apo për ndonjë krim tjetër që lidhet me vrasjen e tyre.

Po ashtu në rezolutë shkruhet se qeveria e Serbisë, ministritë dhe shërbimet e saj përkatëse, duke përfshirë Prokurorinë e Krimeve të Luftës të Serbisë, duhet t’i japin përparësi hetimit dhe ndjekjes penale sa më shpejt të jetë e mundur të zyrtarëve aktualë ose të mëparshëm që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e tyre.

SHBA-ja thekson se progresi në zbardhjen e këtij rasti apo mos-zbardhja e tij duhet të jetë një faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë. Rezoluta u propozua nga kongresmeni republikan nga shteti i Nju Jorkut, Lee Zeldin dhe 423 kongresmenë votuan pro rezolutës, një ishte kundër, ndërsa gjashtë prej tyre nuk votuan.

Vëllezërit Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të, siç kanë thënë zyrtarët e atëhershëm serbë, kalimit të paligjshëm të kufirit.Ata janë liruar nga burgu pasi janë dënuar dhe më pas janë vrarë.Trupat e tyre janë gjetur në një varr masiv, pranë Petrovo Sellos në lindje të Serbisë, në vitin 2001.

Top Channel