“U ble me të ardhura që nuk justifikohen”, Prokuroria sekuestron pasurinë e të dënuarit në Lushnje dhe familjarëve të tij

14/07/2022 13:35

Sekustro preventive vendosi sot prokuroria e Lushnjës ndaj të dënuarit me inicialet M.K dhe familjarëve të tij. Bëhet fjalë për një apartament 103m2 që sipas organit të akuzës është blerë me të ardhura që nuk justifikohen me burime të ligjshme

Me kërkesë te Prokurorise Lushnje, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë ka vendosur masën e sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi:

– Pasuri e paluajtshme me nr.5/2**+1-4*, z.k.8***, Tiranë, e llojit “apartament” me sipërfaqe 103m2;

Mbi bazën e referimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë ka regjistruar dhe po kryen hetime për procedimin penal nr.589 të vitit 2018, regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, që bën fjalë për pasurite në zotërim të shtetasit M.K., i dënuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal, si dhe pasuritë në emër të të afërmve të tij.

Nga hetimet e kryera deri tani ka rezultuar se shtetasi M.K. zotëron në mënyrë të tërthortë pasurinë e paluajtshme me nr. 5/2**+1-4*, z.k.8***, Tiranë, e llojit “apartament” me sipërfaqe 103m2, e cila dyshohet se është blerë me të ardhura që nuk justifikohen me burime të ligjshme.

Në funksion të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, mbi bazën e kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnjë me vendimin nr. 111 (1310), datë 06.07.2022, ka vendosur: “Vendosjen e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme nr. 5/2**+1-4*, z.k.8***, Tiranë, e llojit “apartament” me sipërfaqe 103m2.

Në zbatim të vendimit gjyqësor dhe nenit 274 e vijues të Kodit të Procedurës Penale është nxjerrë nga prokurori urdhëri i ekzekutimit, i cili u është dërguar për ekzekutim/zbatim shërbimeve e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Top Channel