Deputetët maqedonas do të nisin sot diskutimin për propozimin francez, për të cilin partitë kanë qëndrime të kundërta. LSDM-ja ka përgatitur në propozimin e saj konkluzione sipas të cilave do ta detyrojnë qeverinë të mos negociojë për identitetin.

VMRO-DPMNE-ja thotë se konkluzionet nuk do të kenë asnjë peshë nëse nuk e ndryshojnë kornizën negociuese. Deputetëve në Kuvend pritet t’I drejtohet me një video mesazh edhe kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dje në një intervistë për MIA-n ftoi deputetët të mendojnë si burrështetas dhe të vendosin përpara interesat e vendit, në vend të interesave partiake. Nga LSDM-ja thonë se çështja e mbarëvajtjes së seancës varet nga kryetari i Kuvendit kurse ata i kanë gati propozim-konkluzionet që synojnë t’i miratojnë.

Sakaq, rruga “11 Tetori”, para Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, është mbyllur për qarkullim për shkak të protestës së paralajmëruar kundër propozimit francez, e cila do të fillojë në mesditë.

Top Channel