Braçe me tone të ashpra në Kuvend: Toka s’mund të jetë qokë për shokë! Ministrja: Bashkëpunojmë për të përmirësuar situatën!

14/07/2022 11:24

Deputeti socialist me një ton të ashpër akuzoi Ministrinë e Bujqësisë se po abuzon me qiratë e tokave bujqësore.

Ai dha disa shembuj kontratash mes kompanive dhe ministrisë, ku nuk janë mbjellë produkte bujqësore dhe nuk janë shfrytëzuar në të mirë të qytetarëve.

 “Tani do rikthehem të bëj populistin prapë, u mundova shumë të kaloja në realizëm por nuk të lënë. E patë, u mundova shumë të rrija në realizëm, por nuk të lënë. Një ministër nuk mund të dijë çdo gjë përmendësh, pro një ministri po. Një ministri që nuk kontrollon territorin, kontratën, ose është e mbushur me njerëz të painteresuar për punën, pa ambicie, ose është e mbushur me dembelë. Unë dembelët nuk i kuptoj, nuk përshtatem dot me ta, madje nuk i duroj dot fare.

Zonja ministre, po e citoj më ngadalë vendimin e Biden, meqë më parë e lexova shpejt. ‘Fermerët po shtrydhen’. Unë mendoj që është shumë mirë ta kapim nga këtej, ndërkohë që unë di nga ta kap. Do ta kap nga kontrata, por në dallim nga ju, do i referohem letrave qartësisht. Juve ju duket e habitur, por i kam dërguar një shkresë Ministrisë së Bujqësisë, ku kam marrë përgjigje nga Sekretari i Përgjithshëm dhe kam këtu përgjigjen, që ka diferencë nga ato që thoni ju. Do ua lexoj unë, se ka diferencë.

Ministre, kontrata që iu referuat ju, nuk është në Lushnjë siç thoni ju, por është në Divjakë. Nuk keni bërë asnjë takim, zero, për zgjidhjen e problematikave në Bashkinë Lushnjë. Sipërfaqja 100 ha ka qenë e lirë, pse nuk është shfrytëzuar, ka marrë tokë me qira he e bënë luleshtrydhe. Kjo është toka me ferra dhe e papërdorur. U keni marrë banorëve 40 mijë hektarë, por ajo tokë u takon banorëve dhe pikë. Ja fotot e bëra dje, e nderuar ministre, kjo është toka, e papërdorshme për të paktën 3-4 vite. Një i fortë, kryetari i PD së zonës në Gradisht, ka mbjellë plepa, zonja ministre dhe toka është e zënë për 40 vjet. Të paktën, zv.ministrin tuaj e kam dërguar unë atje ta shikojë, kur isha zv.kryeministër. Ky është problemi në kontratën tuaj të Ministrisë së Bujqësisë. Kontrata me Agro Fish Hotin ka dështuar, jo prej Covidit, por prej kontraktuesit tuaj. Agro Fish Hoti nuk është më zonja ministre.

Ndërsa një investitor tjetër në këtë territor po ndërton sera. 100 hektarë,  për shkak të temperaturave po zhvendos prodhimin nga Spanja në Karavasta. Këta njerëz duhen mbështetur, jo ata që bëjnë asgjë. Në kontratën tjetër me ‘Farm Albania’ shpk 120 mijë lekë dhe një punëtor të regjistruar veç ata në ministri mund ta bëjnë. Ka pezulluar statusin në QKR, mund ta di se çfarë është bërë kësaj kohe? Toka nuk mund të jetë qokë për shokë e as për klientë, nuk mund të jetë qokë për këshilltarin. Është njëri që flet nga selia e presidencës. Toka në jug përfundoi në duar të tilla, prej asaj interpelance asgjë nuk ka ndodhur. A ka vlerë fjala zonja ministre? Nuk rritet tatimi kur çmimet e mallrave rriten”, tha Braçe.

Ministrja ftoi deputetin për të punuar bashkë për të përmirësuar bujqësinë në vend.

“Do kishte qenë më efikase për kohën nëse do të m’i sillnit zyrën time e t’i diskutojmë. Ne kemi punuar shumë fort nga 2013 e këtej, juve keni qenë zv. kryeministër. Ky zinxhir patjetër që ka vend për përmirësim, për dinamikë shumë të sinqertë mes njëri-tjetrit. Por ministria ka në dispozicion vetëm disa instrumente. Nga 40 pika grumbullimi funksionojnë mbi 100 prej tyre. Mund të punojmë bashkarisht  për ta përmirësuar, por jo t’i shkojmë ndryshe. 24% më shumë eksporte nga 6 mujori i kaluar. Kjo vjen nga puna dhe ky zinxhir i krijuar bashkarisht”, tha ministrja Krifca.

“Që ta dini zonja ministre unë nuk punoj më në atë ministri. Unë që të jeni e qetë nuk do të punoj më në atë ministri”, tha Brace.

“Ku ishte deputeti i PD-së zonja ministre? Këta po ndjekin politikën, ajo që ka ndodhur me çmimin e shalqirit është politike. Të tre ja ku i keni, po të doni pyetini, ku kanë pirë e kanë ngrënë dje në darkë. Jo i madhi fare, i madhi i Donit, se ai ishte duke ngrënë peshk në hyrje të Lushnjës”, mbylli fjalën deputeti.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel