Abuzime me tenderin dhe falsifikim dokumentesh/ Gjashtë zyrtarë të Tropojës pezullohen nga detyra, në kërkim përgjegjësja e zyrës vendore  të Kadastrës

14/07/2022 13:44
Foto ilustruese

Përgjegjësja e zyrës vendore  të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Tropojë është shpallur në kërkim, ndërsa gjashtë zyrtarë janë pezulluar nga puna për falsifikim dokumentesh.

Përgjegjësja A. A., 31 vjeçe, banuese në Fierzë të Tropojës u shpall në kërkim, pasi Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të datës 12.07.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë, e cila ka caktuar masën “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” dhe masën “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore apo një shërbim publik” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga muaji nëntor i vitit 2021 deri në muajin qershor të këtij viti, ndaj saj ka pasur kallëzime se falsifikonte dokumentet e pronave, duke i regjistruar ato në emër të shtetasve të tjerë dhe jo të pronarëve të ligjshëm të tyre.

Ndërsa gjatë operacionit “Tenderi” janë ekzekutuar masat “Pezullimi i ushtrimit të detyrës” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, për gjashtë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në bashkinë Tropojë.

Ata janë:

H. I., 64 vjeç, banues në Bajram Curri, me detyrë anëtar i Njësisë së Prokurimit, në bashkinë Tropojë;
K. B., 64 vjeç, banues në Bajram Curri, anëtar i Njësisë së Prokurorimit, në bashkinë Tropojë;
B. B., 63 vjeç, banues në Bajram Curri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë;
P. R., 54 vjeç, banues në Bajram Curri, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë;
Sh. D., 25 vjeç, banues në Begaj, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë;
M. V., 64 vjeç, banues në Bujan, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkinë Tropojë.

Nga hetimet e kryera janë evidentuar veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin,  të anëtarëve të Njësisë së Prokurorimit (NJP) dhe anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO), lidhur me procedurën e prokurorimit me objekt “Rikonstruksioni i 5 segmenteve rrugore, në fshatrat Gri, Bujan dhe Cërrnicë”, zhvilluar në vitin 2020.

Top Channel