Vijojnë kërkimet për turistin në Greqi/ Tre të rinj i rrëmbeu rryma në plazhin e Halidhikisë, dy u shpëtuan

13/07/2022 11:58

Një dron nënujor ndihmon që nga e hëna në operacionin e kërkim-shpëtimit për të gjetur një turist 28-vjeçar nga Maqedonia e Veriut, i cili u zhduk të shtunën në mbrëmje  pasi u përfshi nga rrymat detare ndërsa po notonte me dy shokë të tij  në plazhin e Possidit, të Halidhikisë.

Të tre turistët vendosën të zhyten në det gjatë një feste, por nuk ishin në dijeni se rryma atë ditë ishte jashtëzakonisht e fortë.

Deri më tani, vetëm dy prej tyre janë gjetur, i pari 25-vjeçari Vasil Brezovski u shpëtua nga roja bregdetare greke vetë dy orë më pas.

“Rryma na çoi në det. E pashë shokun tim për një orë, por më pas e humba. Pra, nuk e di se çfarë ka ndodhur me të. Lutem të jetë mirë, por të shohim“, tha Vasil Brezovski, turisti i parë i shpëtuar.

Pamjet  kur ekipi i shpëtimit ka sjellë në breg Ivan Geogerfkin, 30 vjeç,të mbijetuarin e dytë ,kanë bërë xhiron e mediave greke.

I riu mundi të mbijetonte në ujë duke u mbajtur pas një topi që e gjeti teksa notonte për gati 19 orë.

Megjithëse topit po i mbaronte ajri, Ivani ishte ende në gjendje ta përdorte atë për të marrë frymë dhe për të qëndruar në det ndërsa tërhiqej nga rryma e fortë.

Ndërsa topi në fjalë u ka humbur në det dy fëmijëve të një familje me pushime në një plazh në ishullin e Limnos, Ivani është gjetur në det të hapur pranë brigjeve të  qytetit verior grek të Katerinit.

Pavarësisht historisë së tij të frikshme të mbijetesës, 30-vjeçari ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe autoritetet besojnë se ai mbijetoi për faktin se është një notar veçanërisht i fortë.

Kërkimet për të zhdukurin e tretë po vazhdojnë, por përderisa kanë kaluar kaq shumë orë dhe kushtet e motit nuk janë të favorshme, autoritetet detare vlerësojnë se nuk ka shumë shpresa që mund të gjendet i gjallë.

Top Channel