“Reciprocitet” serb/ Në Mitrovicë, targat e makinave të Kosovës mbulohen me shenja serbe

13/07/2022 19:56

Natën e së martës, targat e veturave të disa qytetarëve të Mitrovicës së Veriut u mbuluan me letra ngjitëse.

Simbolet e Kosovës, disa persona të panjohur, i mbuluan me letër që kishte mbishkrimin SRB KM, duke i bërë të duken si targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, po që në Kosovë konsiderohen ilegale.

Mëngjesin e së mërkurës Policia e Kosovës u njoftua nga qytetarët, disa prej të cilëve ishin serbë, që targat e veturave të tyre kanë letra ngjitëse. Deri më tani policia nuk ka të dyshuar për veprën edhe pse shton se janë duke e hetuar.

Ndërkohë prokuroria njofton se do të bashkëpunojë më policinë e Kosovës për të gjetur përgjegjësit dhe motivin.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim të ndalojë qarkullimin me targat ilegale KM e qytetarëve serbë të veriut u ka dhënë afat prej 1 gushtit deri më 30 shtator të ndërrojnë targat nga ato KM në RKS.

Top Channel