Gjermania do t’i japë fund blerjeve të qymyrit rus më 1 gusht dhe do të ndalojë blerjen e naftës ruse më 31 dhjetor, pasi vendi kërkon t’i japë fund varësisë së tij energjetike nga Rusia pas vendimit të Moskës për të pushtuar Ukrainën.
Rusia ka furnizuar më parë 40 për qind të qymyrit të Gjermanisë dhe 40 për qind të naftës së saj, tha zëvendësministri i Financave Joerg Kukies më 13 korrik në Forumin Energjetik të Sidneit, të organizuar nga qeveria australiane dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
“Kushdo që e njeh historinë e tubacionit të naftës Druzhba, i cili tashmë ishte një mjet i perandorisë sovjetike mbi Evropën Lindore, të çlirosh veten nga kjo varësi nuk është një çështje e parëndësishme, por është një që do ta arrijmë brenda pak muajsh”, tha Kukies.
Ai shtoi se sfida kryesore përpara do të jetë plotësimi i boshllëkut masiv që do të mbetet në furnizimet me gaz pasi Gjermania dhe i gjithë Bashkimi Evropian të heqin dorë nga furnizimet ruse, të cilat tani arrijnë në 158 miliardë metra kub në vit.
Radio Europa e Lirë shkruan se Gjermania po lëviz me shpejtësi në zhvillimin e terminaleve të importit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) për të ndihmuar në zbutjen e hendekut të furnizimit me gaz.
Kukies tha se Shtetet e Bashkuara dhe Katari mund të furnizojnë së bashku rreth 30 bcm gaz në formë LNG në Evropë, por se një hendek i madh do të mbetet ende.
“Ne nuk mund të urojmë që ky problem të largohet”, tha ai.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre të Grupit të Shtatë (G7) po punojnë për masa të reja për të ulur aftësinë e Rusisë për të financuar luftën e saj në Ukrainë, ndërsa në të njëjtën kohë kërkojnë të ulin çmimin e naftës dhe benzinës ngase rritja në nivele të tilla mund të godasë ekonominë globale, duke vendosur një kufi mbi çmimin e blerjeve të naftës ruse.
Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen po viziton vendet e Indo-Paqësorit për të lobuar për propozimin.
Në Tokio më 12 korrik, Yellen dhe ministri japonez i financave, Suzuki Shunichi thanë se të dy vendet kanë rënë dakord të eksplorojnë “fizibilitetin e kufizimeve të çmimeve aty ku është e përshtatshme”.
Propozimi i G7 është të lidhë shërbimet financiare, sigurimet dhe transportin e ngarkesave të naftës me një tavan çmimi.
Një dërgues ose një importues mund të ketë qasje në këto shërbime vetëm nëse angazhohet për një çmim maksimal të caktuar për naftën ruse.
Top Channel