“Në kërkim të kohës së humbur”, qindra orë për restaurimin e romanit të Marsel Prust!

12/07/2022 21:03

Punonjësit e Bibliotekës Kombëtare në Francë shpenzuan qindra orë duke punuar për restaurimin e 75 faqeve të romanit të famshëm “Në kërkim të kohës së humbur” të Marcel Proust, shkruar në vitin 1908.

Një punë e tillë kaq e imtë, kërkon durim e përpikmëri për të shëruar plagë që lë pas konsumimi dhe koha. Dorëshkrimi i rrallë, “i panjohur dhe i pabotuar”, do të ekspozohet në vjeshtë, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së shkrimtarit.

Guillaume Fau, Biblioteka Kombëtare e Francës: Ky dorëshkrim i ra në dorë në vitet 1950 botuesit Bernard de Fallois, dhe ai e mbajti për vete për dekada të tëra pa e publikuar. Por kishte aluduar për të në disa tekste të tij, edhe pse në vetëm pak rreshta. Kaq mjaftoi megjithatë për të bërë të ditur ekzistencën e këtij dorëshkrimi, që mbeti i larg syve e vëmendjes së studiuesve, që momente të tilla, i presin me  padurim të madh.

Dorëshkrimi, nuk ishte aspak në kushte të mira. Nuk ishte krejtësisht i rrezikuar, por pothuajse cdo faqe e tij paraqeste elemente përkeqësimi që duheshin bllokuar, në mënyrë që të parandalohej dëmtimi i mëtejshëm.

Guillaume Fau: Teksti që kemi në dorë është pothuajse një binjak i librit me ese, “Kundër Sainte Beuve”, sa i takon formatit dhe llojit të fletës në të cilën është shkruar. Ishte i brishtë, duhej punuar me kujdes.

Librat, thoshte Prusti, janë produkti i një un-i tjetër nga ai që ne shfaqim në zakonet e shprehitë tona, në jetën shoqërore, në veset e huqet tona. Nëse do t’i hynim mundimit për të kuptuar këtë “un” të veçantë, do të arrinim ta kuptonim vetëm duke hyrë brenda gjokseve tona, duke rrëmuar  e duke u përpjekur për ta rindërtuar atë “un” po brenda tyre.”

Top Channel