Top Talk/ Befason deputeti socialist Krashi: Ja çfarë duhet të ndryshojë Rama në PS

11/07/2022 17:37

Deputeti i partisë Socialiste, Lavdrim Krashi, në një intervistë ndryshe për emisionin “Top Talk”, nuk nguroi të thotë problemet, që sipas tij, ka aktualisht e majta në vendin tonë.

Në emision, ai bën një paralelizëm të situatës politike në Shqipëri dhe asaj në Britaninë e Madhe, ku deputeti ka jetuar 27 vite dhe është përfshirë në politikën aktive.

Kryeminstri britanik Boris Johnson dha dorëheqjen pasi kabineti i tij, i përfshirë në disa skandale, i kërkoi të dorëzonte postin. Deputeti kujton disa raste në vendin tonë, ku ish-deputetë socialistë dhe ish-kryetarë bashkish, janë në hetim për korrupsion dhe vepra të tjera penale. Ish-kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku ra në pranga tre javë më parë në Itali, pasi u kap me 20 kg kanabis, brenda një kamioni me vazo me lule.

I pyetur nga gazetari Denis Dyrnjaja, nëse do të mjaftonte kaq në Britaninë e Madhe për të kërkuar shkarkimin e kryeministrit, Krashi përgjigjet: “Absolutisht që do të mjaftonte”.

Nëse Rama është në dijeni për veprime kriminale të kabinetit apo politikanëve të partisë që drejton, duhet të veprojë, thotë deputeti.

Më tej, ai ka një këshillë konkrete për Edi Ramën, si kryetar i Partisë Socialiste.

“Nëse Rama do të kishte promovuar apo propozuar njerëz për të përfaqësuar Partinë Socialiste në komitete të ndryshme, duke ditur akuzat dhe se një person i caktuar është në investigim apo nën hetim nga organet kompetente.

Populli, qytetarët, votuesit, meritojnë politikanë përgjegjës, meritojnë të zgjedhur që të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm”.

A është sot PS, ajo që duhet të jetë, në këndvështrimin e Krashit?

“Në realitetin politik shqiptar, Partia Socialiste absolutisht nuk është perfekte, ka shumë të meta dhe gabime, por PS mbetet forca kryesore politike. Kryeministrit do t’i kërkoja transparencë më të madhe në rrafshin politik. Do t’i jepja një këshillë që unë në fakt e kam thënë, është se raporti që duhet të krijojmë me diasporën shqiptare në të gjithë botën. Kjo nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë politike, por mendoj që duke u përfshirë më shumë shqiptarë që janë jashtë Shqipërisë, që janë pjesë e diasporës, por janë qytetarë shqiptarë, besoj se politika shqiptare do të pastrohej dhe do të ishte më afër qytetarit.

Nëse politika shqiptare hapet më shumë ndaj diasporës, nëse merr eksperiencat më të mira, qoftë politike, qoftë dhe administrative, unë mendoj që politika shqiptare do të jetë më e pasur dhe më e fortë”.

 

Top Channel