Monedha europiane vijon të zhvlerësohet në tregun e këmbimit valutor kundrejt lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë euro këmbehet për 118 lekë, niveli më i ulët historik pothuajse duke u barazuar me dollarin që këmbehet aktualisht për 116.7 lekë në tregun e brendshëm. Vetëm javën e parë të korrikut, euro ka humbur 1.1 lekë, ndërsa prej fillimit të vitit është zhvlerësuar me rreth 2.8 lekë.

Por, monedha këmbehet edhe më lirë në pikat e këmbimit valutor apo nga biznese të ndryshme që përdorin tashmë euron duke e këmbyer atë shumë poshtë kursit zyrtar të bankës qendrore.

Kjo periudhë që përkon me sezonin turistik shoqërohet gjithnjë me dobësim të euros dhe forcim të lekut si rrjedhojë e prurjeve në valutë nga emigrantët apo turistët, por edhe për shkak të parasë informale që qarkullon në vend.

Por, nga këto luhatje të ndjeshme të këmbimit ka fitues dhe humbës. Nga zhvlerësimi i vazhdueshëm i monedhës europiane goditen kryesisht eksportuesit apo individët që marrin pagat e tyre në euro.

Ndërsa për qytetarët apo bizneset që kanë marrë një hua në euro kjo është një periudhë e favorshme pasi këstet e kredive janë më të lira në valutë si dhe për ata që zgjedhin të bëjnë pushime jashtë vendit duke përfituar nga dobësimi i euros. Po ashtu, rënia e euros i bën importet më të lira pasi pjesa më e madhe e tyrë bëhen në këtë valutë.

Euro tashmë është futur në një trajektore rënëse dhe pritet të stabilizohet me mbarimin e efekteve të sezonit turistik në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA