Në jug të vendit po përgatiten itinerarët e parë që do të lidhin mes tyre bujtinat, stanet, punishtet e qumështit me stacione të ngjashme në Greqi një iniciativë e përbashkët që evidenton kulturën lokale të djathit dhe e ndan atë me vizitorët.
Afrati ka 50 vjet eksperiencë në prodhimin e djathit. Nevoja për ta mbrojtur traditën sipas tij shkon krahas nevojës për të njohur njëri-tjetrin. Ai ndau me prodhuesit grekë që vizituan rajonin shqetësimin e reduktimit të krerëve dhe kullotave, tkurrjen e traditës së barinjve, e për pasojë sasi gjithnjë e më të pakta qumështi çka mund të bëjnë që djathi të zbehë prezencën në jetën tonë nëse nuk do të ndërhyhet për ta shpëtuar.
Studiuesi i kulinarisë dhe ushqimit njëherazi, prezantuesi i njohur televiziv i programeve të gatimit, Ilias Mamalakis tha nga Gjirokastra se Ballkani po shkon drejt humbjes graduale të kulturës së djathit e se tani në Greqi kanë humbur të paktën 3 lloje, ashtu si në Shqipëri salca e shkullit është gjithnjë e më e rrallë.
“Djathi është pjesë e jetës sonë dhe e jetës suaj. Nëse francezët apo europianët e tjerë konsumojnë djath në fund të vaktit kryesor ne e kemi prezent djathin në çdo vakt dhe përgjatë gjithë kohës. Ne konsumojmë djath me perime, me bukë të freskët, me rrush me domate. Për ne nuk ka kuptim sanduiçi pa djath. Kam provuar shije të rralla të djathit në Shqipëri dhe jam i befasuar. Pavarësisht shijeve të ndryshme të djathit ne jemi bashkë sot për të promovuar diçka nga jeta jonë që po kërcënohet në të dy vendet”.
Studiuesit grekë dhe shqiptarë po punojnë së bashku për analizimin e të gjithë prametrave të shijes së bulmetit të lidhura me racat autoktone të bagëtive, ushqimin, kullotat hapat drejt brandimit të produkteve.
“Ne po ekzaminojmë në laborator kampionet e marra të bulmetit për rreth 18 lloje djathrash që gjetëm në Greqi dhe të paktën 6 këtu në Shqipërinë e Jugut. Inovacioni në shkencë tani mund të ndihmojë në përcaktimin më të qartë të identitetit lokal të djathit dhe ta evidentojë brandin specifik për vizitorët. Rajonet tona janë ende autentike. Ne nuk kemi qytete shumë milionëshe por komunitete të vogla lokale që mund të jetonin duke e ndarë këtë kulturë të jetës së tyre me vizitorët e duke shpëtuar kështu një traditë mijëravjeçare”, shprehet Prof. Ioannis Skoufos, kreu i departametit të Agrikulturës në Universitetin e Janinës.
Mbi 50 receta gatimi me bazë djathin nga të dy vendet mund të shijohen përgjatë rrugës së djathit i pari itinerar turistik tematik që do të përshkojë Shqipërinë dhe Greqinë.
Top Channel