Cristiano Ronaldo e ka vendosur, sezonin e ardhshëm nuk do të jetë më pjesë e Manchester United teksa luzitani këmbëngul për t’u aktivizuar me një skuadër e cila ndryshe nga Djajtë e Kuq, mund të luajë në Champions League.
37-vjeçari nuk i është bashkuar skuadrës së Ten Hag në përgatitjet parasezonale, ndërsa nga ana tjetër edhe klubi nuk e ka shndërruar në një çështje duke pranuar vendimin e sulmuesit.
Madje, në orët e ardhshme, Cristiano Ronaldo mund të zyrtarizohet në klubin e ri teksa drejtuesit e United presin ofertën zyrtare të Chelsea-t. Pronari i ri i Bluve të Londrës, Todd Boehly me miratimin edhe të trajnerit Thomas Tuchel do të bënte lëvizjen e parë të bujshme nën drejtimin e klubit teksa përgatitet të shpenzojë 16 milionë euro për Ronaldon.
Drejtuesit e Manchesterit janë të vetdijshëm se nuk mund të përfitojnë më shumë miliona nga CR7 dhe sapo Chelsea të zyrtarizojë ofertën, do ta pranojnë atë. Nënshkrimi me Ronaldon padyshim që ndikon edhe te Armando Broja, me sulmuesin e kombëtares që do të detyrohej të kërkonte një tjetër skuadër për të shprehur talentin e tij.
Top Channel