Shpërthimi i monumentit misterioz në SHBA shton zërat se ‘Zoti goditi gurët satanikë’ (fotot)

08/07/2022 21:46

Monumenti i kontestuar i “Gurëve Udhëzues në Georgia” u godit dje në mënyrë sensacionale nga një shpërthim shkatërrimtar, por kjo ka bërë që kritikët e disa direktivave ‘sataniste’ që shkruheshin në të, të besojnë se ngjarja ka “më shumë sesa shikon syri”.

Monumenti i direktivave në dukje për mbrojtjen e njerëzimit, mes të tjerave rekomandonte se “popullsia e planetit duhet të mbahet nën 500 milionë njerëz”, prandaj në rrjet shumë teoristë pretendojnë tashmë se ishte Zoti që i shkatërroi “gurët satanikë.”

Në pamjet dramatike të publikuara u shikua shpërthimi i para agimit që shkatërroi plotësisht një prej katër kolonave kryesore të monumentit të mistershëm. Pas dëmtimit të konsiderueshëm të strukturës sataniste, ajo u desh të rrafshohej e gjitha.

Objekti kohët e fundit ishte bërë objekt kritikash i kandidates republikane për Georgia, Kandiss Taylor, e cila tha se nëse fitonte zgjedhjet do ta shkatërronte menjëherë, shkruan rrjeti NewsAU.

Ajo tha asokohe se monumenti i përket një “Kabale Luciferiane” dhe përsëriti pretendimet pas shpërthimit shkatërrimtar.

Ndërsa të tjerë besojnë se monumenti kishte lidhje me një konspiracion të elitave për reduktimin e popullsisë së botës në vetëm 500,000 njerëz.

Autoritetet në Georgia thanë se pas dëmtimit gurët famëkeq “duhet të shkatërroheshin plotësisht” për arsye sigurie.

Taylor tha sot se ishte “Zoti” autor i goditjes shkatërrimtare të “Gurëve Satanikë të Udhëzimit.”

Ajo shkruante pas shpërthimit: “Zoti është Zoti, Ai mund të bëjë çdo gjë që do, dhe kjo përfshin dhe goditjen shkatërrimtare të Gurëve Satanikë”.


Ndërsa dhoma tregtare vendore shkruante në një koment në Facebook: “Gjatë viteve Gurët kanë shkaktuar shumë diskutime dhe kanë sjellë turistë në zonën tonë, por cilido të jetë opinioni juaj, çdo sulm është i keq për komunitetin tonë”.

Gurët rreth 7 metra të lartë peshonin më shumë se 20,000kg secili. Në to mesazhet e supozuara ishin shkruar në tetë gjuhë moderne dhe disa gjuhë të lashta.

Monumenti ishte sulmuar edhe më parë, por goditja e fundit ishte e parekuperueshme.

Incidenti po hetohet nga zyrtarët e sherifit të Elbert, nga policia e Elberton dhe dega e FBI në Georgia.

FOTO GALERI
1/3
Monumenti i kontestuar i “Gurëve Udhëzues në Georgia” u godit dje në mënyrë sensacionale nga një shpërthim shkatërrimtar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA