Dorëheqja e Boris Johnson, kush mund ta zëvendësojë kryeministrin britanik?

07/07/2022 19:59

Pak orë pasi Bord Johnson dha dorëheqjen si kryetar i Partisë Konservatore, por sqaroi se do të mbetet kryeministër derisa të zgjidhet pasardhësi i tij, kanë nisur hamendësimet se cili mund të jetë ai.

Listën, sipas mediave të huaja e kryeson sekretarja e jashtme aktuale, Liz Truss, e cila duket se është dhe e preferuara e Partisë në pushtet.

Truss rezulton të ketë kryesuar vazhdimisht sondazhet e bëra nga faqja e ëebit te konservatorëve. Në dy vitet e para të udhëheqjes së Johnsonit, 46-vjeçarja shërbeu si sekretare e Tregtisë Ndërkombëtare, ka mbështetur BREXIT-in dhe vitin e kaluar, u emërua kryenegociatore në bisedimet e Britanisë me BE-në.

Besnike deri në fund, ajo u shpreh se të hënën se Johnson kishte “mbështetjen e saj 100%” dhe u ka kërkuar kolegëve ta mbështesin atë.

Pretendent për postin është edhe ish-sekretari i Jashtëm, Jeremy Hunt, 55 vjeç, i cili përfundoi i dyti, pas Johnsonit, në garën për udhëheqje, në vitin 2019.

Konsiderohet se ai do të ofronte një stil lidershipi më serioz dhe më pak të diskutueshëm. Emri i ministrit aktual të mbrojtjes, Ben Wallace, 52 vjeç, po lakohet gjithashtu falë popullaritet të tij të shtuar këto kohë për trajtimin e bërë krizës në Ukrainë.

Rishi Sunak

Sunak, që dha dorëheqjen si ministër i Financave të martën, është vlerësuar për një paketë të shpëtimit ekonomik, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, e cila ka përfshirë një program të kushtueshëm për ruajtjen e vendeve të punës.

Sajid Javid

Javid u bë ministri i parë i kabinetit që dha dorëheqje në shenjë proteste për akuzat se Johnson ka mashtruar publikun, në lidhje me sjelljen e papërshtatshme seksuale të një ligjvënësi konservator.

Diskutohet po kështu edhe Nadhim Zahawi, historia personale e të cilit si ish-refugjat nga Iraku që ka shkuar në Britani si fëmijë, e veçon atë nga pretendentët e tjerë. Edhe pse nuk donte të largohej, Johnson duket u përball me një presin aq të madh sa nuk i mbeti rrugë tjetër.

Ai falenderoi popullin britanik dhe theksoi, se të qenurit kryeministër është një shkollë më vete.

“Është e qartë se vullneti i partisë Konservatore është se duhet të ketë një lider tjetër të saj, e për rrjedhojë edhe një kryeministër të ri. Jam i bindur megjithatë, se ndonëse gjërat tani duken të errëta, e ardhmja do të jetë e artë”, tha Johnson.

Së fundmi ishin 50 anëtarë të qeverisë që i kthyen shpinën Boris Johnsonit, shumë me arsyetimin, se duan të shmangin dëmin e bërë partisë.

Mbështetja për të brenda kësaj force politike ishte prej kohësh në rënie. Në fillim të qershorit 58-vjeçari u përball me një votë mosbesimi brenda partisë të cilën ai e fitoi ngushtësisht.

Më parë Johnson ishte vendosur nën presion edhe pas detajeve për party-t e organizuara në rezidencën e kryeministrit ndërkohë që në mbarë vendin ishte vendosur një karantinë e hekurt anti Covid.

Top Channel