Duldungu gjerman, Berlini merr vendimin e rëndësishëm: Ç`ndodh me emigrantët në Gjermani

06/07/2022 15:44

Kabineti gjerman vendos sot për paketën e parë të reformës së emigracionit dhe për atë që përshkruhet si “ligj i shansit për të drejtë qëndrimi”, i cili parashikohet në projektligjin e ri të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Një legjislacion i tillë i hap një kategorie të huajsh në Gjermani mundësi të reja për të marrë një status të sigurtë qëndrimi.

Emigrantët që jetojnë në këtë vend prej 5 vjetësh apo edhe më gjatë me lejen “Duldung”, apo pezullim i përkohshëm i dëbimit të personave pa të drejtë qëndrimi, do të kenë mundësi që të jetojnë gjithmonë ligjërisht në Gjermani.

Konkretisht personat e prekur nga rregullorja e do të merrnin për 1 vit provë, një leje qëndrimi. Nëse në këtë kohë ata tregojnë, se zotërojnë gjuhën gjermane, dhe mund ta sigurojnë jetesën, mund të marrin një leje qëndrimi afatgjatë në Gjermani.

Nëse rregullorja e re hyn në fuqi, prej saj do të përfitonin 105.000 vetë. Po ashtu parashikohet edhe zgjatja e burgimit para dëbimit për të dënuar të caktuar deri në gjashtë muaj, derisa autoritetet të sigurojnë dokumentacionin e kërkuar.

Muajin e kaluar, u paraqit dhe një tjetër projektligj mbështetës për emigrantët, i cili parashikonte që azilkërkuesit me kërkesë të refuzuar të azilit, por që ndërkohë janë të integruar në shoqëri, do të mund të qëndrojnë të ardhmen në Gjermani.

Top Channel