Pas përfundimit të seancës gjyqësore për çështjen e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ka komentuar dëshminë e ish-bashkëpunëtorit të tij, duke pretenduar se deklarimet e bëra në gjykatë rrëzojnë akuzat e Prokurorisë së Posaçme.
Mediu u ndal te përzgjedhja e Gërdecit si vend për demontimin e armëve dhe municioneve, duke theksuar se kjo zonë ishte përcaktuar që në vitin 2003 nga ndërmarrja MEICO dhe strukturat e Forcave të Armatosura, përpara se ai të merrte detyrën e ministrit të Mbrojtjes.
“Gërdeci është zgjedhur në vitin 2003 nga MEICO dhe strukturat e Forcave të Armatosura për demontimin e tankeve dhe armëve të artilerisë. Nuk e ka zgjedhur Fatmir Mediu, por Gërdeci ka qenë njohuri e plotë mes strukturave ushtarake dhe strukturave kontraktuale”, deklaroi ai.
Një tjetër çështje që Mediu vuri në dukje ishte klasifikimi i municioneve sipas kalibrit. Sipas tij, gjatë dëshmisë së zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm u sqarua se nuk ekzistonte asnjë akt juridik, rregullore apo manual që përcaktonte administrimin e municioneve sipas madhësisë apo kalibrit.
Ai pretendoi gjithashtu se përcaktimi i municioneve me kalibër të vogël mbi 100 mm ishte një praktikë e vendosur përpara se ai të emërohej ministër.
Sa i përket pretendimeve të SPAK për pagesat e transportit të municioneve, Mediu tha se transporti kryhej nga ushtria dhe se llogaritja e kostove bëhej nga komanda, në përputhje me urdhrat e ministrit që ishin në fuqi në atë kohë.
“Transporti i municioneve nga ushtria te MEICO qarkullimi bëhet pa para. Sepse nuk ka kuptim që strukturat të së njëjtës buxhet t’i bëjnë shërbimet me pagesë”, u shpreh Mediu.
Top Channel