Shofer i ri, jo mbi 80 km/h! Propozimi i PS rrit moshën e shoferave të autobusëve dhe kamionëve

04/07/2022 19:39

Pensionistët deri në 70 vjeç mund të drejtojnë autobusë, kamionë, çdo mjet për transport publik apo transport mallrash si dhe lejet e drejtimit për ta mund të jenë të vlefshme për 15 vite.

Pas ndryshimit të kodit rrugor duke ashpërsuar gjobat për tejkalimin e shpejtësisë dhe përdorimin e alkoolit gjatë drejtimit të mjeteve, grupi parlamentar i partisë socialiste propozon ndryshime të tjera ligjore përmes disa amendamenteve dërguar Kuvendit duke kërkuar rritjen e kufirit të moshës me 5 vjet për drejtimin e mjeteve për transportin publik.

Aktualisht kodi rrugor lejon shoferët deri në moshën 65 vjeç të drejtojnë autobusë apo kamionë e mjete të caktuara për transportin e njerëzve, por propozohet nga kryetari i grupit parlamentar të PS-së që kjo pikë të shfuqizohet.

Për shqiptarët mbi 70 vjeç leja e drejtimit për vetura do të jetë e vlefshme pas dorëzimit të një certifikate mjekësore që vërteton se janë të aftë fizikisht e mendërisht për të drejtuar mjetin.

Më tej, kërkohet që të shtohen kufizimet për drejtuesit e motomjeteve, ku shoferët e rinj brenda 3 viteve pas marrjes së lejedrejtimit të kategorive A dhe B nuk duhet t’ju lejohet tejkalimi i shpejtësisë prej 80 km/orë në autostrada si dhe 70 km/ orë në rrugët interurbane kryesore.

Top Channel