“Është një mrekulli që jemi gjallë. Dëgjuam një zhurmë të fortë, pastaj një det akulli u përplas mbi ne. E kotë të tentojë të largoheshe, e vetmja gjë që mund të bëje në ato momente, ishte të luteshe. U përqafuam fort dhe pritëm ashtu teksa masa e akullt na afrohej”, ky është rrëfimi i inxhinierit Stefano dal Moro, njëri prej të mbijetuarve te tragjedisë së një dite më parë në verilindje të Italisë, ku një akullnajë në malin Marmolada, më i larti i Dolomiteve italiane, u shkëput e një ortek u përplas mbi një grup alpinistësh që po eksploronin zonën.
Bilanci i fatkeqësisë është i rëndë: 6 të vdekur, tre nga të cilët italianë, një çekosllovak dhe një burrë e një grua kombësia e të cilëve nuk është saktësuar ende.
9 janë të plagosurit, gati 20 të zhdukurit mes të cilëve italianë, gjermanë, cekë e rumunë. Kërkimet për të mbijetuar vazhdojnë.
“Dronët kanë lëvizur gjithë natën dhe janë ende duke kërkuar për të mbijetuar, nën drejtimin e operatorëve tanë. Po i vazhdojmë kërkimet në këtë mënyrë për të qenë sa më të sigurt ndërsa presim që të bëhet një verifikim i qëndrueshmërisë së akullnajës. Kjo është një situatë mjaft e rrezikshme për ekipet e kërkim-shpëtimit”, tha Giovanni Bernard, kryebashkiak i Canazei.
Kryeministri Mario Draghi do të vizitojë nga afër Canazein, ku është ngritur qendra operative që koordinon operacionet e ndihmës, ndërsa presidenti Sergio Mattarella, thirri kreun e provincës së Trentos, Maurizio Fugatti, për të përcjellë ngushëllimet e tij për viktimat.
Ekspertët konstatuan se masa e shkëputur nga akullnaja ka rënë me një shpejtësi prej 300 kilometrash në orë.
Destabilizimi i saj konsiderohet të jetë pasojë e një sasie të madhe të ujit të shkrirë, në një kohë kur vendi fqinj është përfshirë prej javësh nga temperatura shumë më të larta se mesatarja.
Top Channel