Maria Bamieh, një ish-prokurore e shkarkuar pasi kishte sinjalizuar për korrupsion në misionin më të madh të jashtëm të BE-së në Kosovë, EULEX, do të paguhet më shumë se 400 mijë funta nga Britania e Madhe si dëmshpërblim, raporton The Guardian.
Maria Bamieh ka pretenduar për tetë vitet e fundit se Zyra e Jashtme për Zhvillim (FCDO), një departament i qeverisë britanike dështoi të ofrojë mbështetje për të pasi ajo u përpoq të ekspozonte bashkëpunimin e mundshëm midis zyrtarëve të BE-së dhe kriminelëve të dyshuar në Kosovë.
Në vend të kësaj, tha ajo, zyrtarët qeveritarë i thanë asaj që të injoronte provat e dukshme të marrëveshjes së fshehtë në misionin e BE-së për sundimin e ligjit, të quajtur EULEX.
Rasti i saj pritej të shqyrtohej në gjykatë në maj dhe qershor të këtij viti, por palët u ranë dakord për një dëmshpërblim prej rreth 423,000 paund britanikë pak para seancës së pare.
FCDO tha se vazhdon të mohonte me forcë pretendimet e Bamieh.
Maria Bamieh kishte akuzuar misionin e EULEX-it për largim të padrejtë nga puna pasi bëri akuza për korrupsion kundër prokurorëve dhe gjykatëseve ndërkombëtarë që shërbenin në Kosovë.
Bamieh pretendonte se kishte qenë në njohuri se si një gjyqtar i EULEX-it kishte pranuar rreth 300 mijë euro në kompensim për të liruar nga akuzat një ish-zyrtar të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Pas largimit nga ky mision, Bamieh ka vazhduar betejën e saj ligjore kundër EULEX-it në Britani të Madhe.
EULEX është misioni më i madh i dërguar jashtë vendit nga Bashkimi Evropian.
Qëllimi i EULEX-it është t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë.
Që nga ardhja në Kosovë në vitin 2008 ky mision i ka kushtuar BE-së qindra miliona euro./ Radio Evropa e Lirë
Top Channel