Kryeministrja e Suedisë Magdalena Andersson refuzoi të komentojë pretendimin e Turqisë se ajo kishte premtuar të dëbonte individë të kërkuar nga Ankaraja si pjesë e përpjekjeve të Stokholmit për t’u bashkuar me NATO-n.
Pavarësisht pyetjeve nga gazetarët dhe shqetësimeve mes refugjatëve kurdë dhe turq në Suedi, Andersson nuk pranoi të thoshte nëse një angazhim i tillë i ishte dhënë Ankarasë.
Magdalena Andersson: “E di që ka shumë shqetësime në komunitetin kurd tani dhe mendoj se ka dy gjëra që janë të rëndësishme për t’u theksuar. E para është se ne kurrë nuk i ekstradojmë shtetasit suedezë. Sepse e di që ka shqetësime edhe mes njerëzve që janë shtetas suedezë, por ata nuk ekstradohen kurrë. Gjëja tjetër është që sigurisht që ne do të vazhdojmë të ndjekim ligjin suedez dhe ndërkombëtar kur bëhet fjalë për ekstradimin.”
Në një marrëveshje të nënshkruar nga Stokholmi dhe Helsinki në një samit të NATO-s në Madrid të martën, të dy vendet nordike ranë dakord të shqyrtojnë kërkesat turke për ekstradim ”
Asnjë premtim nuk është dhënë për të kryer realisht ekstradimet, dhe Finlanda dhe Suedia kanë kujtuar që atëherë se procesi është në duart e autoriteteve dhe gjykatave të pavarura.
Por presidenti turk Erdogan tha të enjten në fund të samitit të NATO-s se Suedia kishte bërë një “premtim” për të ekstraduar “73 terroristë” dhe kërcënoi se do të bllokonte anëtarësimin në NATO nëse nuk përmbusheshin angazhimet.
Top Channel