Gjykata e Tiranës do të shqyrtojë një letër porosi të përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë, në të cilën një shtetas shqiptar akuzohet nga ish-bashkëshortja se rrëmbeu tre fëmijët e tij duke i larguar nga Britania e Madhe.
Babai dyshohet se i mori fëmijët përmes mashtrimit, duke u larguar fillimisht në Skoci dhe më tej prej datës 3 prill 2022 u kthye së bashku me ta në vendlindje.
Fëmijët, dy djem dhe një vajzë, më i vogli prej tyre tre vjeç, sipas nënës, që është gjithashtu shtetase shqiptare, iu rrëmbyen prej të atit në shkelje të seksionit të ligjit të rrëmbimit të fëmijëve viti 1984 që ndalon prindërit të nxjerrin fëmijët jashtë Mbretërisë së Bashkuar pa pëlqimin e palëve.
Çifti shqiptar u martua në vitin 2010, menjëherë pasi babai i tre fëmijëve që ka edhe shtetësi britanike, e ndihmoi partneren që të udhëtonte me një pasaportë false drejt Anglisë. Por ata u divorcuan për shkak të dhunës.
Gruaja kërkon që gjykata shqiptare t’i marrë në kujdestari tre fëmijët e saj derisa ata t’i dorëzohen asaj si dhe që fotografitë e tre të miturve t’u shpërndahen pikave kufitare.
Nga burimet e gjykatës, tregohet se ne fashikull është bashkangjitur edhe një shkresë e autoritetit qendror të Anglisë dhe Uellsit, ku thuhet se se mbajtja e fëmijëve në Shqipëri pa lejen e nënës është në shkelje të Konventës së Hagës.
Top Channel