“Ndihem më i kompletuar. Kam dëshirë të ndihmoj skuadrën që të fitojë dhe të jem gjithmonë në gatishmëri për trajnerin dhe shokët e skuadrës. Dua të sigurohem që ata ndihen komod rreth meje dhe i bëj të ditur që mund të mbështeten tek unë në çfarëdo lloj situate.”
Kjo ishte deklarata e parë e Romelu Lukakut pas rikthimit tek Chelsea për 97.5 milionë paundë në verën e shkuar. 10 muaj më vonë, jo vetëm që sulmuesi nuk i përmbushi pritshmëritë e larta në Stamford Bridge, por ai kërkoi me ngulm që të veshë edhe njëherë tjetër fanellën zikaltër, një kërkesë që iu plotësua nga drejtuesit e Bluve të Londrës.
Inter pagoi një shumë prej 8 milionë eurosh plus bonuset për të marrë borxh sulmuesin belg, ndërkohë që klubet kanë rënë plotësisht dakord edhe për kushtet e kontratës, që përfshijnë bonuse ekstra në rast të përformancave pozitive.
Marrëveshja mes skuadrave nuk përfshin opsionin për blerjen e detyrueshme në fund të edicionit. Ndërkohë, asnjë lojtar i Interit nuk është përfshirë në paktin mes klubeve, pavarësisht se pronari i ri amerikan i Chelsea-t, Todd Boehly u shpreh se dëshiron t’i japë negociatave futbollistike ‘ngjyra’ bejzbolli, ku një shkëmbim mes palëve është gjithnjë i pranishëm.
Pas kuintave, Lukaku luajti një rol vendimtar në finalizimin e transfertës, ndërkohë që agjenti i tij Sebastien Ledure ishte i rëndëëishëm në plotësimin e dëshirës së klientit të tij. Në skuadrën e Interit, Giuseppe Marotta udhëhoqi negociatat mes klubeve, së bashku me drejtorin sportiv Piero Ausilio, ndërkohë që trajneri Simone Inzaghi e donte me cdo kusht në kontigjentin e tij.
Për Lukakun, rikthimi tek Interi ka qenë dëshira më e madhe pas paraqitjeve të dobëta me Blutë e Londrës, ku edhe shprehu publikisht dëshirën e largimit gjatë edicionit futbollistik.
Sa i përket një vendimi për Lukakun, klubi ishte i ndarë në dy pjesë: ata që donin ta shihnin larg klubit dhe ata që donin që belgut të qendronte. Shefi teknik i klubit, Petr Cech u shpreh në fillim të muajit Qershor se belgu do të ketë një sezon të dytë të shkëlqyer me Blutë e Londrës, në rast se zgjedh të qëndrojë, por ndodhi e kundërta pasi ish-portieri legjendar u largua nga klubi para se të bënte dicka të tilla sulmuesi 29-vjecar.
Burime të ndryshme bëjnë me dije se nëse në klubi do të drejtohej ende nga Roman Abramovich, Romelu Lukaku zor se do të largohej.
Për skuadrën zikaltër nuk ishte një marrëveshje aspak e lehtë pasi bindën Lukakun të përgjysmonte pagën e tij për t’ju bashkur ekipit. Inter ka arritur marrëveshjen edhe për ish-shokun e skuadrës të sulmuesit belg, Henrikh Mkhiraryan me parametra zero, teksa dyshja ka luajtur bashkë me Manchester United. Ndërkohë që vijojnë bisedimet në faza të avancuara për të siguruar firmën edhe me Paulo Dybalan.
Për të balancuar situatën financiare pas afrimeve të shumta, Inter mund të lë të lirë Milan Skriniar, që po monitorohet me kujdes nga Paris Saint-Germain.
Transferimi i Lukakut tek Chelsea u shoqërua me zhurmë të madhe mediatike, ku në të njejtën kohë edhe tifozët e Bluve pretenduan se patën siguruar shërbimet e një sulmuesi klasik që i mungonte që në kohën e Didier Drogba.
Një nga motivet kryesore të rikthimit të Lukakut në Angli ishte të provonte aftësitë e tij në ligën më kompetitive në botë dhe për të heshtur spektikët që dyshonin në aftësitë e tij.
Kësisoj, Blutë e Londrës menduan se Lukaku kishte fituar eksperiencën, maturinë dhe lidershipin e duhur përgjatë aventurave productive te Everton, Manchester United dhe Inter saqë me ardhjen në Stamford Bridge do i jepte skuadrës pjesën e fundit të ‘puzzle-it’ për të konkurruar denjësisht për titullin kampion
8 gola në vetëm 16 paraqitje si titullar në Premier League ishin shumë pak për një sulmues të Chelsea-t, një klub që e transferoi me bujë të jashtëzakonshme dhe me pretendimin se do të rezultonte ideal për të rivalizuar Manchester City dhe Liverpool.
Raporti mes klubit dhe lojtarit pësoi krisje të parekuperueshme, një faktor që ishte edhe një prej faktorëve që shtyu Todd Boehly të përshpejtonte rikthimin e tij tek Interi.
Por, si ndodhi kaq shpejt? Gjithcka filloi me intervistën e dhënë për Sky Italia.
Lukaku vuajti formën e dobët gjatë sezonit por asgjë nuk e dëmtoi më shumë sesa deklarata për median italiane pa lejen dhe miratimin e klubit. Intervista u zhvillua pas një barazimi zhgënjyes 1-1 ndaj Manchester United më 28 Nëntor, ku Lukaku u aktivizua në lojë vetëm gjatë minutave të fundit, pa ndikuar në rezultatin e ndeshjes. Intervista që shkaktoi polemika të mëdha u përhap vetëm gjatë periudhës së festave të fundvitit.
Pavarësisht se arsyeja kryesore e intervistës ishte për të ndërtuar ‘urat’ e komunikimit me tifozët e Interit pas largimit nga skuadra, ai përmendi marrëdhënien e zbehtë me trajnerin Tuchel dhe momentin jo të mirë që po përjetonte në Stamford Bridge.
“Nuk jam i lumtur me situatën ku ndodhem dhe kjo është e natyrshme. Trajneri ka vendosur të aplikojë një stil ndryshe loje dhe unë nuk po e gjej veten. Duhet të vazhdoj të punoj fort dhe të sillem si një profesionist i vërtetë. Sigurisht, kjo situatë nuk më gëzon aspak por unë jam një lojtar punëtor dhe nuk dorëzohem lehtë. Trajneri duhet të më aktivizojë më shpesh por në të njejtën kohë duhet t’i respektoj zgjedhjet e tij. E gjitha cfarë duhet të bëj është të jap maksimumin dhe të pres për momentin tim.”
Një deklaratë e cila krijoi jo pak diskutime në shtypin anglez, ndërsa tifozët e Chelseat u kthyen kundër belgut duke vënë në dukje mungesën e profesionalizmit. Edhe trajneri gjerman i londinezëve e shprehu pakënaqësinë menjëherë pas fjalëve të Lukakut. Belgu nuk u përfshi në skuadër për ndeshjen e rëndësishme ndaj Liverpool më 2 Janar dhe u gjobit nga ana e klubit.
Thomas Tuchel u konsultua edhe me lojtarët kryesor të skuadrës për vendimin e lënies jashtë Lukakut, ku mori mendime nga Jorginho, Cezar Azpilicueta, N’golo Kante dhe Antonio Rudiger.
Më pas, Romelu Lukaku u mundua të korrigjonte gabimin duke i kërkuar falje publike tifozëve por gjithsesi nuk rezultoi si mënyra e duhur për të rivendosur marrëdhëniet.
Thomas Tuchel provoi gjithcka për të përballuar presionin e mediave teksa në konferencat për shtyp provonte ta anashkalonte cështjen e sulmuesit belg.
Sic raportohet nga The Athletic, Thomas Tuchel ka shprehur zemërimin në stërvitje prej situatës së pakëndshme. Gjatë një seance stërvitore para ndeshjes ndaj Liverpool, gjermani i mblodhi të gjithë lojtarët duke i treguar rëndësinë e sjelljes profesionale me mediat dhe iu kujtoi që asnjë deklaratë nuk do të bëhet më pa aprovimin e klubit.
Pjesa më e habitshme për të gjithë ishte që drejtuesit e Chelsea-t u pozicionuan përgjatë gjithë kohës në krahun e Thomas Tuchel, duke i ofruar mbështetje maksimale në cdo moment si përkundër rasteve të shkuara kur klubi ka vendosur t’i japë të drejtë lojtarëve me peshë duke anashkaluar rolin e trajnerit.
Performancat e Lukakut në Dhjetor ku realizoi ndaj Aston Villa-s dhe Brighton rritën besimin në skuadër se sulmuesi më në fund kishte gjetur rendimentin e duhur. Por, me publikimin e intervistës Lukaku bëri sërish prapakthehu.
29-vjecari gjithmonë dëshiron të ketë vëmendjen kryesore dhe të ndjejë besimin e pakushtëzuar të trajnerit. Lukaku dëshiron të punojë me një trajner kërkues që di ta mbështesë dhe t’i japë kurajon e duhur. Lidhja e fortë me Antonio Conten ishte decisive në suksesin e tij për dy sezone me radhë me fanelën zikaltër, që kulmoi në fitimin e titullit në sezonin 2020-22 ku realizoi 24 gola.
Pikërisht, kjo mbështetje e ngrohtë i mungoi Lukakut në kryeqytetin anglez, ku në vend të besimit gjeti dyshimet dhe kritikat e shumta që e shoqëruan gjatë gjithë periudhës së dytë me Blutë e Londrës.
Me kalimin e muajve, dëshira e Lukakut për rikthimin tek Interi u shtua edhe më shumë teksa filloi t’i dërgonte mesazhe lojtarëve zikaltër për një ribashkim në Milano.
Në fund të sezonit, u publikua se marrdhënia mes Lukakut dhe Tuchel ishte krisur përfundimisht, ishte e pamundur që trajneri gjerman të ndryshonte opinionin rreth sulmuesit belg.
Nuk duhet harruar se Tuchel insistoi më së shumti për transferimin e Lukakut në verën e shkuar, pasi besonte se sulmuesi do t’i jepte formën përfundimtare skuadrës së tij për të fituar kampionatin në Angli.
Një faktor që mund të ketë ndikuar në formën e dobët fizike ishte dhe mungesa që bëri në fazën përgatitore të Chelseat. Në kohën kur marrëveshja mes Interit dhe londinezëve u arrit, bomberi po qëndronte disa ditë i mbyllur në karantinë për shkak të protokollit të Covid-19, ndërkohë që sezoni i ri sapo kishte filluar.
Megjithatë, nuk duhet harruar forma fantastike e Lukakut në startin e edicionit ku shënoi katër gola në po aq ndeshje. Disa analistë e konsideruan Chelsea-n si skuadra favorite për fitimin e titullit të Premier League, ndërkohë që tifozët e kapluar nga entuziazmi këndonin në kor emrin e tij.
Më pas, Lukaku nuk e gjeti rrugën e rrjetës për tre muaj me radhë. Infektimi me Covid-19 në Dhjetor e komplikoi akoma edhe më shumë situatën. Pavarëisht premtimeve ndaj tifozëve që golat do të vinin, belgu vuajti edhe në fillimin e vitit të ri ku realizoi vetëm një herë, ndaj modestëve të Chesterfield në FA Cup.
Lukaku mori lëvdata të shumta për formën e shkëlqyer fizike kur aktivizohej tek Interi dhe e nisi periudhën te Chelsea në një mënyrë të ngjashme. Por, pas problemeve me kaviljen dhe pas problemeve shëndetsore, u duk shumë e vështirë që londinezët të shihnin një sulmues të njejtë me atë që luajti në Milano për dy sezone.
Fakti që Chelsea nuk ruajti një fizionimi të njejtë mund të konsiderohet si një aspekt që nuk e lejoi sulmuesit të përshtatej. Dëmtimet dhe Covid-19 ndikuan negativisht lojtarët e tjerë kështu që Lukaku e pati të pamundur të krijonte një partneritet të njejtë si me Lautaro Martinezin.
Lukaku dha një tjetër shkëndijë rreth asaj se cfarë është i aftë të prodhojë, në fund të sezonit, ku realizoi dy gola ndaj Ëolverhampton dhe një tjetër ndaj Leeds. Tre golat e shënuar në hapësirën e shkurtër kohore e bënë Lukakun golashënuesin më të mirë të londinezëve në të gjitha kompeticionet me 15 gola, por që kurrsesi nuk i përligjnin 340 mijë paundët që përfitonte në javë.
Lukaku tejkaloi shumë pengesa derisa iu plotësua përfundimisht dëshira për t’u rikthyer te Interi.
Huazimi te zikaltërit është një zgjidhje afatshkurtër për secilë palë. Ndërkohë që mbetet e paqartë e ardhmja e belgut pas 12 muajsh kur të përfundojë huazimin me zikaltrit.
Një tjetër teori që ka dalë në skenë së fundmi në kampin e Bluve të Londrës është nëse Thomas Tuchel mund të bëntë një punë më të mirë në menaxhimin e Lukakut. Ku i dihet, mbase Chelsea mund të emërojë një trajner të ri në sezonin e ardhshëm që di si ti marrë më të mirën sulmuesit belg.
Sidoqoftë, për një tifoz të cmendur të Chelsea-t do të ishte e vështirë të imagjinonte një tjetër ribashkim me Lukakun, sidomos pas mënyrës së hidhur që u mbyll aventura. 29 vjecari ka shpërdoruar dy mundësi të arta për të demonstruar vlerat e tij në Stamford Bridge dhe ka dështuar në të dyja përpjekjet. Në mnëyrë të paevitueshme, Romelu Lukaku ka filluar të krahasohet me sulmuesit e tjerë të Chelseat që u transferuan për një shumë të madhe parash por që zhgënjyen me performancat në fushën e lojës si: Andriy Shevchenko, Fernando Torres dhe Alvaro Morata.
Në skuadrrën e Interit, shumë tifozë do e shohin si një hero që rikthehet në shtëpi, pavarësisht se Curva Nord do e ketë të vështirë të ndryshojë mendimin negativ për Lukakun. Ata nuk e kanë harruar ‘tradhtinë’ e sulmuesit kur u largua një vit më parë dhe tifozeria e famshme bëri të ditur qëndrimin në ditën pasi u arrit marrëveshja mes klubeve për transferimin e 29-vjecarit. Asnjë përfaqësues i Curva Nord nuk u lejua të mirëpriste Lukakun në aeroportin e Milanos, ndërkohë që sulmuesi duhet të punojë fort për të fituar edhe njëherë tjetër simpatinë e mbështetësve zikaltër.
Në deklaratën e tifozëve thuhej: “Ai u trajtua si mbret. Tashmë, nuk ka asnjë dallim nga lojtarët e tjerë.”
Kjo thirrje u mundua t’i priste hovin entuziazmit të madh për rikthimin e ish-lojtarit më të mirë të vitit në Serie A. Tifozët e thjeshtë e injoruan thirrjen e Curva Nord dhe mbushën aeroportin e Linates për t’u përshëndetur me sulmuesin e tyre të dashur. Ndërkohë, gjatë kryerjes së vizitave mjekësore të mërkurën dëgjoheshin thirrjet e tifozerisë në kor “Portaci lo Scudetto” — “Na sill titullin kampion”.
Mund të konsiderohet si një ndryshim drastik mes zymtësisë dhe indiferencës që e shoqëroi lojtarin në Premier League dhe krejt papritur e gjen veten të rrethuar nga dashamirësia dhe mikpritja e ngrohtë në futbollin italian. Objektivi për të lënë gjurmë te Chelsea mbetet sërish në trajtë abstrakte për Lukakun. Të mendosh që belgu shpresoi të kthehej në një Didier Drogba të ri për tifozët londinez dhe rezultoi zhgënjim në të gjitha format është sigurisht një peng i madh në karrierën e 29-vjecarit.
Në futboll, situatat përmbysen shumë shpejt. Performancat pozitive dhe një protagonizmë i dytë me Interin do i rikthente Romelu Lukakut edhe njëherë tjetër vëmendjen që i mungoi në Angli. Sigurisht që në kampin zikaltër, sulmuesi 29-vjecar i ka të gjitha premisat për të shfaqur sërish rendimentin ideal të formës fizike që do të përkthehej në trofe të rëndësishëm për 19-herë kampionët e Italisë…/SuperSport
Top Channel