Demokratja Dhurata Çupi ka ngritur shqetësimin ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, për mos shqyrtimin e kërkesës së opozitës për seancë dëgjimore me Këshillin e Larte Gjyqësor për hartën e re gjyqësore.

Në lidhje me këtë shqetësim, Fatmir Xhafaj ka mbështetur shqetësimin e Çupit duke thënë se nuk shqetësohet nga çështja e datës së seancës por nga greva e avokatëve pasi prekin drejtëpërdrejt qytetarët. Ai shtoi se edhe Ministria e Drejtësisë edhe KLGJ janë në shkelje të ligjit, pasi ka dy javë që nuk zhvillohen gjyqe.

Nga ana tjetër Klotilda Bushka ka sqaruar që javën e 11 korrikut do të jetë java e dëgjesës në lidhje me këtë çështje.

Dhurata Çupi: Kërkojmë të dimë datën kur do të zhvillohet seanca dëgjimore me KLGJ, KLP, Ministrin e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Siç dihet sot qytetarët nuk përfaqësohen në procese gjyqësore pasi Dhoma e Avokatisë nuk merr pjesë në gjyqe. Është çështje sensitive dhe duhet të njihen qytetarët me datën e dëgjesës dhe marrjen e masave.

Fatmir Xhafaj: Më duket interesante shqetësimi i koleges, nuk me shqetëson çështja  e datës së seancës gjyqësore por më shumë me shqetëson greva avokatëve pasi preken qytetarët, dhe ne përfaqësojmë qytetarët. Edhe Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë gjyqësor janë në shkelje të ligjit për këtë çështje, u bënë dy jave që s’ka gjyq se njerëzit presin avokatët.

Klotilda Bushka: Sigurisht nuk mund të shtyhet dëgjesa, por ka një mori aktesh që duhen të studiohen. Është rakorduar që me 11 korrik do jetë java e dëgjesës. Sa i takon pretendimeve të avokatëve apo të tjerëve, në dëgjesa do sheshohen.

Oerd Bylykbashi: Siç thotë z. Xhafa ne jemi këtu për interesin e qytetarëve. Ja ku është prova, ajo që propozohet është në kundërshtim me interesin e atyre që ne duhet te mbrojmë këtu.

Top Channel