Konsumimi i drogës është një nga plagët më të rënda të shoqërisë shqiptare, aq më tepër kur bëhet fjalë për të miturit, të cilët janë të ekspozuar ndaj lëndëve të rrezikshme.
Një histori është treguar sot në “Shqipëria Live” nga Drini, i cili që 10 vjeç kishte nisur konsumimin e drogës, asaj më të fortës, heroinës. Ai tregon se e gjitha nisi nga një fqinj i tij 10 vite më i madh, i cili i dha heroinën për herë të parë. Si pasojë overdozës, ai tregon se vëlla i tij më i vogël ka ndërruar jetë.
Kalvari i vuajtjeve për Drinin ka nisur që kur ai ka qenë fare i vogël, kur babai ushtronte dhunë sistematike ndaj mamasë, vëllezërve dhe motrave. Sot ai ka dy fëmijë dhe tregon se është shumë i përkushtuar ndaj tyre.
“Kam qenë 10 vjeç. Kam filluar direkt tek e kuqja me cigare, heroinë, pa e ditur se çfarë ishte. Një komshi ma tregoi, se kisha idenë në atë kohë. Ai ishte 20 vjeç, unë isha 10. Unë nuk e dija që ai kishte dy javë që pinte me vëllain tim më të vogël 8 vjeç dhe unë nuk e dija këtë gjë. Nuk e dija ku do përfundoja. Ne kemi qenë 3 vëllezër dy motra, kur nisa drogën ishin të divorcuar. Ka pasur edhe dhunë në familjen tim. Babai ushtronte dhunë jo vetëm ndaj nënës por edhe ndaj nesh. Ai ka ushtruar dhunë gjithmonë, vinte i dehur në shtëpi. Fshiheshim nëpër shtëpi që të mos hanim ndonjë shpullë. Ishte mamaja ajo që e vuante të gjithë vështirësinë. Mamaja ka qenë pastruese tek vagonët e trenit, kurse babai ka qenë shofer. Gjendja ekonomike nuk ishte e mirë, nuk kishim kushte. Kemi kaluar fëmijëri të vështirë. Historia nisi kështu, të gjithë çunat qëndronim në lagje, kur u afrua orari i drekës që të gjithë do shkonin nëpër shtëpi, unë nuk kisha ku të shkoja, nuk kisha njeri në shtëpi. Nuk kam vazhduar as shkollën. Në moshën 12-vjeçare ika për Itali i vetëm, jam fshehur në maune. Nuk më rrihej më në Shqipëri, doja një jetë tjetër. Thosha pse të mos jem edhe unë si fëmijët që shihja në TV. Dashurinë e prindërve nuk e kam pasur kurrë. Sot jam babai i dy fëmijëve që i dua shumë dhe më ka dhënë forcën të frenohem në gjithçka. Sa herë që shoh fëmijët e mi unë qaj dhe ndjej një ngrohtësi që më ka munguar ndaj prindërve të mi. Vëllai i mesëm e pinte gjithashtu drogën. 5 mijë lekë të vjetra blinim një injeksion”, tregoi Drini.
Top Channel