Ukraina rikthen kontrollin e Ishullit të Gjarprit, Rusia: U tërhoqëm vetë

30/06/2022 12:31

Ukraina ka thënë se forcat e saj ushtarake, kanë larguar forcat ruse nga Ishulli i Gjarprit në Detin e Zi, pretendim që është mohuar nga Moska, e cila e ka quajtur këtë veprim si tërheqje të forcave të saj “si shenjë e vullnetit të mirë”, për të treguar se Rusia nuk është duke bllokuar përpjekjet për të eksportuar produktet bujqësore.

“Nuk ka më ushtarë rusë në Ishullin e Gjarprit. Forcat tona të armatosura kanë bërë punë të mrekullueshme”, ka thënë Andriy Yermak, shef i zyrës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ai ka publikuar një fotografi në Twitter, ku shihet tym në disa pjesë të atij vendi, që është pushtuar nga Rusia në ditët e para të luftës kundër Ukrainës.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka konfirmuar se trupat e saj kanë lënë ishullin, të cilin e ka përdorur për të pajisur forcat e saj me armë të ndryshme.

Sipas ministrisë, trupat ushtarake janë tërhequr pasi ushtarët e stacionuar aty, kanë kryer të gjitha detyrat.

Kontrollimi i Ishullit të Gjarprit, i cili gjendet rreth 40 kilometra larg brigjeve ukrainase, i ka mundësuar Rusisë që të kërcënojë korsitë detare që çojnë në dhe nga Odesa, porti kryesor i Ukrainës për transportimin e grurit nëpër botë.

Ishulli është bërë simbol i rezistencës për Ukrainën, pasi rojet bregdetare të vendosur aty, kanë refuzuar kërkesat ruse që të largoheshin, apo në të kundërtën do të vriteshin, në ditët e para të luftës.

Si përgjigje, një roje kufitare pati dërguar mesazh për anijen ruse, Moskva: “Anije ruse, shko në djall”.

Anija ruse më pas pati bombarduar ishullin.

Ende nuk dihet sa persona kanë vdekur si pasojë e atij sulmi, mirëpo ushtari që ka bërë mesazhin, ka mbijetuar.

Më vonë anija Moskva është fundosur në Detin e Zi, si pasojë e një sulmi ukrainas.

Presidenti rus Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Top Channel