Dhoma Kombëtare e Avokatisë vendosi bojkot pa afat të seancave gjyqësore të proceseve penale, civile apo administrative në të gjithë vendin dhe bojkot 10 ditor për masat e sigurisë.

Bojkoti i Dhomës së Avokatisë ka krijuar probleme në gjykatën e Vlorës.  Qytetarë në gjykatën e Vlorës kanë qenë të paktë ndërsa një prej tyre ka deklaruar se prej kohësh endet për një seancë për çështjen e pensionit, ndërsa edhe këtë të enjte bojkoti i avokatëve ka shtyrë sërish seancën duke krijuar shqetësim tek qytetarët.

Kreu i Dhomës së Avokatisë Vlorë, Durim Barjami  ka deklaruar se do të vijohet me bojkotin ndërkohë që nuk është parashikuar ende për të ardhmen teksa problematike mbetet mos zhvillimi i seancave të masave të sigurisë.

Edhe në Korçë si në gjithë vendin avokatët kanë nisur bojkotin 10 ditor.  Kryetari i Dhomës së Avokatisë në Korçë, Arben Lena në një deklaratë për mediat tha se në rast se do të ketë pjesë nga grupi i avokatëve të Korçës që do të paraqiten në proceset gjyqësore, dhoma e avokatisë do të nisë proces disiplinor për ta.

“Ka patur zëra kundër për teknikalitete, jo për qëllimin e përbashkët ditën e djeshme. Vendimi vjen në sinkron me atë që kemi kërkuar prej dy javësh. Ka zëra nga shoqata e gjyqtarëve dhe qeverisë që janë kundër nesh. Besoj se do ketë ndërgjegjësim nga ana e shtetit.  Në qoftë se ne nuk zbatojmë të drejtat e parashikuara në rezolutën për të drejtat e njeriut, le mos e njohin me as avokatinë.  Ne kërkojmë rishikimin e hartës gjyqësore”, tha ai.

Janë 44 seanca të planifikuara për sot në Korçë dhe vetëm një mase sigurie në orën 14:30.

Edhe kryetari i Dhomës së Avokatëve Fier, Ermal Hamataj reagoi në lidhje me vendimin e bojkotit, duke mbështetur vendimin.

Avokatët kërkojnë prej javësh që qeveria e gjyqësorit të tërhiqet nga harta e re gjyqësore në të cilën reduktohen 18 gjykata.

Rreth 2 mijë avokatë, prej disa javësh tashmë, kanë bojkotuar proceset në formë greve për të detyruar KLGJ-në që të reflektojë mbi hartën e re gjyqësore, për të cilën në fakt KLGJ tanimë ka votuar për mbylljen e shumë gjykatave.

Sipas hartës së re gjyqësore aktive do të mbeten vetëm gjykatat e shkallës së parë në çdo qendër qarku dhe çdo shkallë tjetër e gjyqësorit do të zhvendoset në Tiranë ndërsa planifikohet një gjykatë e dytë administrative në Lushnjë në funksion të jugut të vendit.

Dhoma e Avokatisë, pretendon se “KLGJ ka injoruar dhe nuk ka marrë në konsideratë propozimet e tyre”.

Top Channel