Kosova reciprocitet me Serbinë, rregullat për personat me pashaporta dhe targa serbe

29/06/2022 18:05

Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit karshi Serbisë sa u përket dokumenteve identifikuese.

“Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë. Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore” sqaron komunikata e Qeverisë së Kosovës.

Ekzekutivi ka marrë vendim për targat e veturave që qarkullojnë në veri të Kosovës. Sipas këtij vendimi u është mundësuar pronarëve të automjeteve të pajisura me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA” nga 10 qershori 1999 deri më datë 21 prill 2022, të bëjnë regjistrimin e mjeteve me targa RKS.

“Vendimi ka karakter të papërsëritshëm pas përfundimit të periudhës së vlefshmërisë. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që të ndërmarrë të gjitha veprimet dhe masat e nevojshme me qëllim të realizimit të këtij procesi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Bëhet e ditur që regjistrimi do të fillojë me një gusht dhe do të zgjasë deri më 30 shtator të këtij viti.

Me vendim ekzekutivi ka zgjatur përdorimin e letrave ngjitëse në targat e automjeteve që hyjnë nga Serbia në Kosovë, ky vendim ka kohëzgjatje deri më 31 tetor 2022

Top Channel